Pandemia COVID-19 ia ka hapur botës sytë para natyrës së vërtetë të regjimit kinez, shkrime të pafundme na kanë treguar këtë në javët e fundit. Dhe mbase janë të vërteta që nuk mund të kontestohen. Por në Evropë, është reagimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj virusit, madje edhe më shumë se i Kinës, ai që po i vë më shumë në siklet politikanët dhe opinionin e gjerë publik.
Një anketim i ri i kryer nga Fondacioni Körber, publikuar të hënën, është dëshmia e fundit e kësaj. Rezultatet janë tronditëse – dhe duhet ta shtrëngojnë gjithsecilin që të reflektojë në kryeqytetin amerikan e që janë njerëz që mendojnë se ka një shtytje të frontit të bashkuar të prirë nga SHBA-ja kundër Kinës pas shpërthimit të krizës së pandemisë.
Gjermanët në dysh
Anketimi ka treguar se gjermanët tani janë pothuajse barabartë të ndarë nëse Washingtoni ose Pekini është partner më i rëndësishëm, me 37 për qind e respondentëve që kanë zgjedhur Shtetet e Bashkuara dhe 36 për qind Kinën. Kjo përbën një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me anketimin e fundit të shtatorit 2019 të Körberit, kur gjermanët favorizonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me një dallim prej 26 për qind krahasuar me mbështetjen për Kinën.
Kjo nuk nënkupton se gjermanët ia kanë hapur rrugën Kinës. Rreth 71 për qind pajtohen se transparenca më e madhe nga Qeveria kineze do të mund të reduktonte ndikimin ose do të mund të frenonte përhapjen e pandemisë. Megjithatë, vetëm 36 për qind thonë se opinioni i tyre për Kinën është përkeqësuar, krahasuar me 73 për qind sa mendojnë se SHBA-ja ka përkeqësuar qasjen gjatë kohës së krizës.
Dhe çfarë nënkupton kjo? Së pari, disa shenja paralajmëruese. Pak njerëz presin transparencë nga Partia Komuniste e Kinës. Ata kanë pritje larg më të lartë standardesh nga SHBA-ja, dhe janë larg më të zhgënjyer kur dështojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Luhatjet e mëdha gjermane
Për më tepër, pikëpamja gjermane për SHBA-në ka qenë në mesin e më negativëve në krejt Evropën prejse presidenti Donald Trumpi shkeli në Shtëpinë e Bardhë. Ngjashëm kishte ndodhur edhe në kohën e presidentit George W. Bush, por perceptimi gjerman do të ndryshonte theksueshëm për mirë me ardhjen e Barack Obamës në Shtëpinë e Bardhë. Opinioni publik gjerman është i paqëndrueshëm – për mirë a keq – dhe pikëpamjet e gjermanëve ndaj SHBA-së ndikohet me të madhe varësisht prej të zotit të Zyrës Ovale.
“Pikëpamjet gjermane ndaj SHBA-së ishin në rënie të lirë gjatë kohës së krizës korona”, ka deklaruar Nora Müller, drejtoreshë ekzekutive e marrëdhënieve ndërkombëtare në Körber, në një intervistë për revistën politike amerikane, “Foreign Policy”.
“Dyshimet për mënyrën e menaxhimit të pandemisë nga administrata e Trumpit dhe mungesa e supozuar e lidershipit botëror amerikan e kanë ashpërsuar edhe më shumë këtë tëhuajësim”.
Politikanët gjermanë, në anën tjetër, duhet të kenë konsiderata më të mëdha kur provojnë të baraspeshojnë marrëdhënien me Washingtonin dhe Pekinin. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë demokraci që ndan vlera të përbashkëta themelore me Evropën. Jo edhe Kina. Shtetet e Bashkuara kanë garantuar sigurinë e Gjermanisë dhe shteteve të tjera evropiane për më shumë se 75 vjet. Kina ka kaluar një periudhë të gjatë kohore duke u marrë vetëm me veten.
Bota po ndryshon
Bota po ndryshon. Mund të jemi në ag të shekullit aziatik. Politikanët në Gjermani dhe gjetkë në Evropë shohin se harku gjeopolitik po devijon, dhe kjo nxit kalkulimet e tyre. Ata e shohin se Partia Komuniste e Kinës mbuloi të vërtetën e virusit në valët e para dhe pastaj, pasi u përhap anembanë rruzullit, ndoqi një fushatë agresive propagande dhe dezinformimi në rrekje për të ndërruar narrativen. Ata e shohin njashtu se Kina ia doli me sukses ta frenonte virusin në vend – megjithëse me taktika do të ishin të papranueshme në demokracitë liberale – kur ndau mendjen ta frenonte. Dhe shih për këtë, ekonomia kineze pritet ta rimarrë më shpejt veten.
Kur ata hedhin shikimin kah Shtetet e Bashkuara, shohin kaos – një vend që edhe përballë një sëmundjeje që ka marrë jetën e më shumë se 91 mijë amerikanëve, politikanët nuk janë të zotë të heqin dorë prej hesapeve të ngushta partiake dhe të bëhen tok. Ata shohin një administratë që s’i bën hesap shkencën dhe bashkëpunimin botëror kur duhet më së shumti. Dhe shohin një president, i cili është në gjendje botën ta përmbysë në betejën e marrëdhënieve SHBA-Kinë, nëse i duhet për t’i ngjallur shpresat për t’u rizgjedhur.
Është me rëndësi të theksohet se Trumpi nuk shihet në Evropë si shkak i mosfunksionimit amerikan, por më shumë si simptomë ose përshkallëzues i tij. Nëse Joe Biden merr në janar frenat e Shtëpisë së Bardhë, ende do të mbizotërojë ndasia partizane. Dhe e tillë do të jetë edhe rraskapitja prej një krize që amerikanët – pas dekadash me radhë me rol të vogël të Qeverisë në shoqëri – duken totalisht të papërgatitur për t’ia dalë me të. Bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mund të jetë më i lehtë kur të largohet Trumpi. Por deri kur? Reagimi amerikan ndaj koronavirusit ka thelluar këto dyshime në Gjermani dhe në shtetet e tjera evropiane.
Krizë besueshmërie
Sipas një anketimi të kryer gjatë muajit prej Grupit Britanik për Politikë të Jashtme, vetëm 28 për qind e britanikëve kanë thënë se besojnë se SHBA-ja vepron me përgjegjësi në botë, apo rënie prej 13 për qind krahasuar me janarin. Votuesit konservativë, të cilët më parë shprehin besim të jashtëzakonshëm karshi SHBA-së, janë përgjegjës për humbjen më të madhe të besueshmërisë.
Foreign Policy