Nëntë pacientë me koronavirus në Infektivë, numri më i vogël në 40 ditët e fundit

Nëntë pacientë të infektuar me koronavirus janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive në QKUK. Ndërkaq, pesë pacientë pritet të lirohen sot, pasi janë shëruar plotësisht.

Kështu ka bërë të ditur për KOHËN, infektologu Salih Ahmeti.

Ai tutje ka shtuar se tre pacientë janë duke u trajtuar me oksigjeno-terapi ndërkaq një është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në kujdesin intensiv.

Reklama e sponzorizuar

“Përkundër kujdesit dhe përpjekjeve tona, ky pacient po vazhdon të mbetet ende në gjendje më të rënduar shëndetësore”, ka thënë ai.

Për një muaj e gjysmë ky është numri më i vogël i pacientëve me koronavirus që po trajtohen në Klinikën Infektive.

Ndërkaq këto ditë ka pasur trend pozitiv, duke shënuar kështu rënie numri i të infektuarve dhe rritje numri i të shëruarave.

Deri tash në Kosovë 861 persona janë infektuar me koronavirus, 561 të shëruar dhe 27 të vdekur.