Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurve S.H. dhe A.H. për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë” dhe “keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe veprën penale “Hyrje në sistemin kompjuterik”.
Sipas njoftimit, dy të dyshuarve iu është caktuar nga një muaj paraburgim.
Gjykata njofton se ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, sepse sipas tyre, nëse dy të pandehurit gjenden në liri ekziston rreziku i ikjes së tyre, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale po ashtu ekziston rreziku që të pandehurit do t’i fshehin, ndryshojnë apo edhe falsifikojnë provat e veprës penale si dhe të pandehurit mund të ndikojnë tek njëri tjetri si dhe në dëshmitarë.
“Të pandehurit S.H. dhe A.H. dyshohen nga Prokuroria se nga banesa e tyre, me qëllim që vetit apo ndonjë personi tjetër të i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kishin bërë porosinë online nëpërmjet internetit (blerje online), duke keqpërdorur të dhëna të kartelave bankare të personave të ndryshëm, duke blerë mallra në kompaninë GORENJE dhe kompani tjera, me ç’rast janë gjetur qindra të dhëna të kartelave bankare, llaptop, telefona, hardiska dhe fletë të transferove të ndryshme ku dyshohet se familjarët e të dyshuarve kanë pranuar gjithsej 14,176.68 euro”, thuhet në njoftim.











