OBSH paralajmëron valë të dytë të koronavirusit, nëse masat hiqen shpejt

Derisa shumë vende të botës kanë lehtësuar masat kundër koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka paralajmëruar ato se mund të përballen me “valën e menjëhershme të dytë” të të infektuarve.

Në pjesën më të madhe të Evropës dhe Azisë Lindore, virusi duket se është zbehur, por pjesa tjetër e botës është ende duke luftuar valën e parë të tij.

Shefi i programit për emeregjenca të OBSH-së, Mike Ryan, tha se virusi tani po përhapet në pjesë të Amerikës Latine, Azisë së Jugut dhe Afrikës.

Reklama e sponzorizuar

Ryan tha se pandemitë shpesh ndodhin në valë, që do të thotë se zonat ku vala e parë është heshtur, mund të goditen përsëri këtë vit.

Ka po ashtu shanse që niveli i infeksioneve të rritet, nëse masat për të frenuar valën e parë lehtësohen shumë shpejt, paralajmëroi Ryan.

Koronavirusi ka infektuar afro 5.5 milionë njerëz në gjithë botën dhe ka vrarë mbi 346,000.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave: mbi 1.6 milion, përkatësisht mbi 98,000.

Shtetet më të goditura në Evropë janë Mbretëria e Bashkuar, Spanja, Italia dhe Franca.