Numri i turistëve ndërkombëtarë do të ulet nga 60 deri në 80% në 2020 si pasojë e pandemisë së koronavirusit të ri, njoftoi sot Organizata Botërore e Turizmit (OBT), që parashikoi një rënie në fund të marsit me 20-30%.
“Kjo është kriza më e rëndë me të cilën turizmi ndërkombëtar është përballur që prej fillimit të parashikimeve në vitin 1950”, nënvizoi kjo agjenci e OKB-së me qendër në Madrid, në një komunikatë.
“Udhëtimet janë ulur me 22% në tremujorin e parë në një vit dhe me 57% në muajin mars pas fillimit të kufizimit në shumë vende”, theksoi OBT.
Sektori ka humbur gjithashtu 80 miliardë dollarë (74 miliardë euro) në tre muajt e parë të vitit.
No total humbjet financiare mund të arrijnë nga 910 miliardë dollarë (843 miliardë euro) në 1 200 miliardë dollarë (1 111 miliardë euro).
“Impakti do të ndjehet në nivele të ndryshme në rajone të ndryshme të botës”, shtoi OBT.
Këto parashikime të reja bazohen në tre skenare të daljes nga kriza, rihapja e kufijve dhe heqja e shtrëngimeve të udhëtimit në fillim të korrikut (ulje me 58% e të mbërriturve), në fillim të shtatorit (ulje me -70% e të mbërriturve) dhe në fillim të dhjetorit (ulje me -78% e të mbërriturve).
OBT-ja i trembet rrezikimit të 100 deri 120 milionë vendeve të punës drejtpërdrejt në turizëm.
Ekspertët e agjencisë presin të shohin shenja të rimëkëmbjes në tremujorin e fundit të vitit 2020, por veçanërisht në vitin 2021, me një rikuperim të kërkesës së brendshme më të shpejtë se ajo e kërkesës ndërkombëtare.