Organizatat shqiptare në SHBA i shkruajnë Trumpit në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi

Koalicioni i Organizatave Shqiptare në Amerikë, përmes një letre nisur presidentit amerikan, Donald Trump, ka shprehur shqetësimin në lidhje me qasjen e SHBA-së ndaj dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Në letrën, të cilën e ka publikuar Portali.info, Koalicioni i Organizatave Shqiptare ka falënderuar SHBA-në për rolin e saj në Kosovë dhe Ballkan, por edhe ka shprehur shqetësimin për qasjen e tashme të politikës së jashtme në Ballkan.

Letrës drejtuar presidentit Trump, organizatat e shqiptarëve në Amerikë ia kanë bashkangjitur edhe disa rekomandime rreth normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
“Jemi duke ju shkruar për të shfaqur një shqetësim serioz ndaj politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara në drejtim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Siç e dini edhe ju, liria dhe ndërtimi i shteteve në Ballkan ka qenë një angazhim i suksesshëm i Shteteve të Bashkuara me investim të konsiderueshëm nga ju, Bashkimi Evropian dhe NATO për 20 vitet e fundit. Sidoqoftë, këto të arritura mund të njollosen shkaku i qëllimeve afatshkurta të diplomacive si nga Kosova, Serbia dhe ndoshta nga Shtetet e Bashkuara – të gjitha në emrin tuaj”, shkruan në letrën drejtuar presidentit Trump.

Reklama e sponzorizuar

Në letër, sipas “portali.info”, thuhet se kosovarët janë të frikësuar se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë ‘kinse nuk po shikojnë’, përderisa Kosova mund të copëtohet tutje për të plotësuar ambiciet nacionaliste të Serbisë.
Në letër thuhet se çdo ndryshim i kufijve mund të hapë konflikt të ngrirë dhe rajoni të destabilizohet edhe njëherë.

Rekomandimet e organizatave shqiptare në SHBA, drejtuar Trumpit

– Nuk duhet të ngutemi

– Duhet së pari të adresojmë tentimin e fundit që ishte për të marrë pushtetin e Qeverisë së Kosovës, para se të vazhdojmë me çfarëdo negociate me Serbinë

– Asnjë marrëveshje nuk duhet të përfshijë shkëmbimin e territoreve dhe as territore me status special

– Dëmshpërblimet ekonomike duhet të jenë pjesë e çfarëdo marrëveshje të paqes

– Nuk duhet të ketë amnisti për personat që kanë kryer krime të pa imagjinuara

– Liria e tregtisë dhe liria e lëvizjes

– Rritja e prezencës së Shteteve të Bashkuara dhe trupave ushtarake të NATO-s në rajon do të ishte e mirëseardhur

– Furnizimi me ujë për Kosovën nuk duhet penguar

– Të gjitha institucionet fetare brenda Kosovës, të çfarëdo besimi, duhet të kenë transparencë për të gjitha fondet e mbledhura dhe t’i deklarojnë përmes llogarive publike

– Kosova dhe Serbia duhet të marrin një plan të konsiderueshëm për investime afatgjate nga Shtetet e Bashkuara

– Kosova dhe Serbia duhet të integrohen në trupin e Bashkimit Evropian nëse të dy palët plotësojnë kushtet. Në këtë aspekt, Serbia duhet të ndalojë të gjitha tentimet ndaj tërheqjeve të njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe pengimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

– Çfarëdo marrëveshje e paqes e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të garantohet nga Këshilli i Sigurimit të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, NATO-s, por vetëm pasi që të ketë marrë pëlqimin e gjerë në të dy shtetet.