PDK kërkon hetim e dorëheqje të ministrave për “keqpërdorimet” në Qendrën e Studentëve

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se karantinimi në Qendrën e Studentëve në Prishtinë është duke u bërë në mënyrë abuzive e të papërgjegjshme. Sipas Valdete Idrizit nga kjo parti, menaxhimi aty ka dështuar rëndë e për këtë duhet të ketë hetim e dhënie të përgjegjësisë.

“Shteti ka obligim t’iu ofrojë kushte të mira dhe të duhura e të barabarta të izoluarve. Por menaxhimi në këtë qendër ka dështuar rëndë. Në adresë të PDK-së janë duke ardhur shumë ankesa për trajtim jo të barabartë”, ka thënë Idrizi.

Kjo parti ka përmendur disa raste, ku thonë se ka njerëz që me të njohshëm nuk janë karantinuar fare në qendër.

Reklama e sponzorizuar

“PDK bën thirrje për ndaljen e këtyre abuzimeve. I bën thirrje Prokurorisë për hetime në këtë Qendër. Ky hetim duhet të jetë transparent e ministrat përgjegjës duhet të ofrojnë dorëheqje”, ka thënë Idrizi.

Keqpërdorimet dhe abuzimet në këtë qendër, sipas PDK-së, dëshmohen me rastin e vdekjes së 26-vjeçarit nga Gjilani.