Krasniqi: PDK-ja do të votojë pro mocionit

Memli Krasniqi- Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij do të votojë pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“Që në zanafillën e vetë, koalicioni qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së e ka dëshmuar papërgjegjësinë ndaj vendit dhe paaftësinë për të qeverisur në mënyrë normale, fillimisht me vonesën e tejzgjatur prej 119 ditëve për ta formuar qeverinë, duke e mbajtur të paralizuar jetën institucionale të shtetit dhe duke e penguar rrjedhën normale të zhvillimit në vend. Kjo zvarritje ishte edhe dëshmia e parë e mashtrimit të drejtpërdrejtë që këto dy parti i bënë elektoratit të tyre pasi i kishin premtuar qeveri brenda 72 orësh mbi baza parimore, ndërsa u katandisën në katër muaj vonesë dhe në një pazar joparimor për poste dhe pushtet. Ky kryeministër e kjo qeveri nuk meritojnë të qeverisë Republikën e Kosovës”, tha ai.

“Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t’ia shkurtoj sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë”.

Reklama e sponzorizuar