Suedia ka arritur që t’i sjellë botës një metodë ndryshe në luftimin e epidemisë së koronavirusit, metodë kjo që ka nxitur shumë reagime.
Në vend që të vendoste masat mbrojtëse dhe kufizonte lëvizjen e qytetarëve siç kanë vepruar vendet e tjera, Suedia pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit u ka bërë thirrje qytetarëve vetëm që të respektojnë distancimin fizik.
Autoritetet suedeze kanë vënë masa të caktuara kufizimesh për ta zvogëluar rritjen e përqindjes së infeksionit, siç është ndalimi i të gjithë tubimeve publike prej më shumë se 50 personave dhe respektimin e distancimit social, por asnjëherë nuk ka pasur kontrolle të rrepta, apo dënime me shuma të majme apo ca më keq si në plot vende të tjera, ndërhyrje të policisë.
Shumë bare dhe restorante vazhdojnë të punojnë edhe pse në to ka më pak klientë, e nxënësit e shkollave fillore vazhdojnë të ndjekin mësimin. Për dallim nga fqinji – Norvegjia dhe disa vende aziatike, Suedia nuk ka praktikuar aplikacionin për përcjelljen e lëvizjeve, duke shmangur kështu kërcënimin e privatësisë dhe lirisë së qytetarëve.
Sipas projeksionit të Anders Tegnell, epidemiologut kryesor të institutit suedez për shëndet publik, Stokholmi do të mund të fitonte imunitetin kolektiv brenda këtij muaji, kurse matematikani nga universiteti i Stokhomit, Tom Brighton, ka përllogaritur që imuniteti prej 40% do të ishte i mjaftueshëm që të ndalë përhapjen e mëtejme të koronavirusit në kryeqytet, e kjo sipas tij do të mund të ndodhë nga mesi i muajit të ardhshëm.
Edhe pse disa e vlerësojnë Suedinë për shkak se ka arritur të paktën të ruajë gjendjen normale në ekonomi dhe të mbajë përqindjen e vdekjeve për banorë në nivel më të ulët sesa Belgjika, Franca, Italia, Holanda, Spanja dhe Britania e Madhe, të tjerët e kritikojnë sepse nuk ka arritur t’i mbrojë të moshuarit dhe emigrantët.
Banorët në shtëpitë e pleqve përbëjnë mbi 50 për qind të rasteve të vdekjeve nga COVID-19 në Suedi. Sipas Tegnellit, kjo ka ndodhur pse azilet nuk kanë ndërmarrë masa parandaluese siç është mbajtja e maskave mbrojtëse. Ndërkaq në mesin e emigrantëve ka shumë të vdekur, kryesisht për shkak se ishin më të varfër dhe punonin në sektorë më të rrezikshëm.
Megjithatë, autoritetet suedeze thonë se përqindja e vdekjeve në këtë vend do të jetë më e ulët, se në vende të ndryshme të botës.
Suedia ka arritur të forcojë imunitetin tek të rinjtë që edhe janë kategoria më pak e rrezikuar nga komplikimet e COVID-19, kurse repartet e kujdesit intensiv për asnjë moment nuk kanë qenë të mbingarkuara. Personeli mjekësor nuk ka pasur nevojë ta ketë një brengë shtesë për fëmijët, sepse kopshtet dhe shkollat kanë vijuar sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
Shumë vende tjera tani po përkrahin modelin suedez: Danimarka dhe Finlanda kanë hapur shkollat e mesme, Gjermania ka hapur dyqanet, Italia u rihap gjerësisht, e Franca po ashtu.
Për këtë ekzistojnë shumë arsye të mira, sepse do të kalojnë disa vite para se të konstatohet numri i përgjithshëm i rasteve me vdekjeve, kompanive që kanë falimentuar, persona që kanë kryer vetëvrasje, ata me probleme mendore, humbje të GDP-së dhe investime e shpenzime të tjera në luftën kundër koronavirusit. Është e qartë se këto shpenzime do të jenë shumë të larta.