Qeveria: Berisha u shkarkua për shkak të shkeljeve të detyrave

Qeveria në detyrë ka thënë se e ka shkarkuar Eset Berishën nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil, për “shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale”.

Në një njoftim pas mbledhjes së 30-të, Qeveria ka thënë se Berisha ka hartuar e ka nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ndërsa edhe “ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh”. Po ashtu në këtë njoftim është bërë i ditur se është emëruar ushtrues detyre i drejtorit, Arianit Islami.

“Në mbështetje të kompetencave të Qeverisë, përkatësisht nenit 20, paragrafi 4, pika a) e Ligjit Nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, sot ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, z. Eset Berisha për shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale. Z. Berisha ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të përformancës, ka mbajt detyra tjera me pagesë njëkohësisht, dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh. Emërimi i z. Eset Berisha, si Drejtor i Përgjithshëm i AAC-së ka qenë në kundërthënie me ligjin qysh prej fillimit, prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës, duke pasur në interes zbatimin e plotë të ligjit dhe interesin publik prioritet, ka marr vendim për shkarkimin e z. Berisha, dhe emërimin e z. Arianit Islami, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, deri në marrjen e rekomandimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit për emërimin e drejtorit të ri, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar