Raporti 100-ditësh i punës së MASHTI-t i fokusuar në mësimin në distancë

Raporti i Ministrisë së Arsimit për periudhën 100 ditëshe të punës më shumë është i fokusuar në aktivitete që lidhen me pandeminë Covid-19, mësimin në distancë dhe punën legjislative. Ekspertë të arsimit e arsyetojnë përqendrimin e energjisë së Ministrisë në pandemi, por thonë se disa aktivitete jashtë pandemisë kanë mundur të procedoheshin më shpejt.

Rinor Qehaja nga “Instituti Edguard” konsideron se pandemia paevitueshëm ka ndikuar në prioritetet e punës së MASHTI-t dhe se gjatë periudhës 100-ditëshe janë marrë shumë pak vendime, raporton KOHA.

“Pandemia paevitueshëm ka ndikuar në prioritetet e punës së MASHTI-t, menaxhimi i mirë i së cilës mbetet të dëshmohet me kalimin e kohës. Përtej kësaj, vlerësoj që shumë aktivitete do të mund të ishin proceduar me më shpejtësi. Rikujtoj që reformat në arsim janë shumë të varura nga reagimi dhe politikëbërja e shpejtë, pra mosreagimi me kohë nga MASHTI mundëson që të metat në sistem të vazhdojnë tutje edhe për një vit mësimor”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Njohësi tjetër i arsimit, Dukagjin Pupovci, konsideron se kur kihet parasysh fakti që mbyllja e shkollave ka ndodhur pa asnjë paralajmërim, MASHTI e ka menaxhuar mjaft mirë situatën me pandeminë dhe i ka krijuar parakushtet për përfundimin e rregullt të vitit shkollor.

“Është e kuptueshme që në një situatë të tillë, e cila është shoqëruar edhe me rrëzimin e Qeverisë pas vetëm 50 ditësh, nuk ka qenë e mundur të bëhet ndonjë planifikim më afatgjatë për zbatimin e programit qeverisës, por, megjithatë, ka filluar puna në disa nisma legjislative të cilat, për shkak të situatës së krijuar, mund edhe të mbeten të papërfunduara”, ka thënë ai.