Rektorët e universiteteve publike ankohen për mungesë të financave

Akreditimi dhe mësimi online ishte temë diskutimi ndërmjet rektorëve te universiteteve publike dhe Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Por gjatë këtij takimi rektorë të universiteteve publike në vend kanë folur për vështirësitë, cilësinë e arsimit, përgatitjet për akreditimin e programeve dhe akreditimin institucional.  Rektorët jan ankuar për mosmiratimin e statuteve të këtyre universiteteve dhe vështirësitë financiare, që çojnë edhe në mungesë të stafit.

Rektori i UP-së, Marjan Dema, tha me këtë rast se për ndërtimin e një shteti funksional, arsimi është shtylla kryesore.

Reklama e sponzorizuar

“Edukimi është pasuria më e vlefshme e një shteti stabil. Nëse duam të ndërtojmë një shtet funksional, natyrisht se arsimi është shtylla kryesore. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka aktualisht 42 mijë studentë, 900 pjesëtarë të stafit akademik dhe 300 jo akademik. Në kuadër të UP-së janë 14 fakultetete në këto nivele studimi bachellor, master dhe doktoraturë”, ka thënë Dema.

Dema tha se kanë ndërtuar shumë mekanizma për rritjen e cilësisë në arsimin universitar.

“Cilësia është një koncept që është preokupim  i të gjithëve në botë. Ne merremi me cilësinë e mësimdhënies, prandaj kemi ndërtuar shumë mekanizma që ta monitorojmë këtë cilësi sepse jemi të interesuar që ta ngrisim këtë çështje. Ka shumë punë për të bërë sepse edhe pritjet janë shumë të mëdha”, tha ai.

Ndër sfidat kryesore të UP-së Dema përmendi ndërhyrjet politike. Ai i përmendi disa prej të arriturave.

“Ndër arritjet që i kemi të mëdha, unë po i përmendi disa prej tyre. Kemi rritur kualitetin e publikimeve, kemi hyrë në ranglista që s’kemi qenë kurrë, shërbimet e studentëve nga e gjithë bota, kemi formuar llogaridhënie me një transparencë të  lartë”, tha ai.

Bajram Kosumi rektor i Universitetit  “Kadri Zeka”, në Gjilan, tha se ekziston një bashkëpunim i mirë ndërmjet Universiteteve dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë së Agjencisë së  Akreditimit.

Mirëpo sipas tij largimi nga ENQA nuk ka qenë goditje vetëm për Agjencinë por për të gjitha universitetet.

“Çështja e parë është se ka një frymë të re bashkëpunimit ndërmjet Universiteteve dhe Këshillit të Akreditimit dhe cilësisë, gjë që nuk ka ekzistuar më herët. Madje,  Këshilli i ka parë universitetet si pikë kyçe për t’i goditur. Ne e kemi përvojën dhe jemi nxitës të bashkëpunimit me Këshillin e Akreditimit dhe MASHTI-t. Goditja që ka marrë largimin nga ENQA nuk është goditje vetëm  për të por, për të gjithë universitetet dhe jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë që ta ndihmojmë të jetë pjesë sërish në ENQA dhe jemi të gatshëm të bashkëpunojmë. Unë besoj se mënyra që është sjellë agjencia e akreditimit me universitetet ka qenë e ndikuar nga partitë politike. Është thënë hapur që me i godit universitetet e reja.  Që gjashtë vite punojmë me Statut të përkohshëm dhe këto fjalë që po i flasim këtu, kemi folur edhe me ish-ministrin para tri vitesh, dërgojë në Kuvend statutin e ri, por nuk e ka dërguar”, tha Kosumi.

Kurse, Fadil Millaku nga Universiteti “Haxhi Zeka” në  Pejës, ka thënë se që 3 vite universitetet më të mëdha pas UP-së,  nuk kanë pasur akreditim, për shkak se manuali nuk u ka shkuar me kohë. Ai ka thënë se nëse duan cilësi në arsim duhet ta rrisin buxhetin. “Ka  pasur problem me rikthy reputacionin që e kishte me kohë por këtë vit kemi pasur kapacitete që t’i rikthejmë më kohë ato. Kur flasim për cilësinë ajo është  proces  dhe të gjithë universitetet përballen me këtë. Nëse dëshirojmë cilësi në arsim, atëherë duhet ta rrisin buxhetin për Universitet tona”, tha ai.

Ndërsa, rektori i Universiteti  “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musa  ka folur për nevojën e një statuti  të përhershëm për universitetet.

“Ne jemi në fazën e procesit të akreditimit dhe ne kemi përfunduar procesin e vlerësimit dhe paraqitjet tona para komisionit dhe shpresojmë që t’i marrim pozitiv përgjigjet. Si Universitet ne pas 30 vitesh jemi rikthyer në objektet tona. Pra para 30 viteve kur jemi larguar nga aty, tashmë jemi rikthyer, që tash jemi në një kampus shumë të mirë. Jemi kyçur me kohë sa i përket mësimit online dhe kyçja e shpejtë nga fiziku në online po shkon shumë mirë.  Sfidë e madhe është Statuti i përkohshëm i universitetit tonë.  Ne disa herë kemi kërkuar që të ndryshojë ky statut por ka qenë i pamundur, prandaj kërkojmë prej jush që të reflektoni si komision parlamentar”,  tha Musa.  

Pritjet për t’u akredituar nga Këshilli i Akreditimit e pret edhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj. Ndër sfidat e tyre që u përmendën, ishin financat dhe mungesa e stafit.