Shqipëri: Pandemia lë 48 mijë të papunë brenda 6 muajsh

Në Shqipëri pandemia ka nxjerrë nga tregu i punës 48.7 mijë të papunë, në krahasim me dhjetorin 2019, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat e fundit u referohen burimeve administrative, që matin numrin mesatar të të punësuarve në sektorin privat jobujqësor (mesatare tremujore e llogaritur me të dhënat e listë-pagesave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve) si dhe numrit mesatar të të punësuarve në sektorin bujqësor bazohet në vlerësimet tremujore të Anketës së Forcave të Punës.

Reklama e sponzorizuar

Duhet theksuar se në fund të qershorit, në vend kishte gjithsej 1.1 milion të punësuar, nga 1.15 milionë në fund të tremujorit të katërt 2019.

Rënia më e fortë ka qenë në sektorin privat jobujqësor, ku u regjistruan gati 30 mijë të punësuar më pak se në fund të 2019-s, me një tkurrje prej 6%. Ky është numri më i ulët i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor, që nga tremujori i tretë i vitit 2017. Ndonëse qeveria mori masa për mbështetjen e bizneseve që u ndaluan të punonin dhe atyre që nuk kishin mundësi të punonin, përmes dy paketave mbështetëse, kjo sërish nuk e ka ndaluar hemorragjinë e të punësuarve.

Nga sektori privat bujqësor, INSTAT ka gjetur nga anketa se nga tregu i punës kanë dalë rreth 18 mijë persona, me rënie prej 4% në krahasim me fundin e 2019-s.

Edhe nga sektori shtetëror rezultojnë gati 2 mijë të punësuar më pak.

Paketat e ndihmës

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nga paketa e parë financiare, që parashikonte pagesa prej 26 mijë lekësh në muaj për tre muaj radhazi (mars-maj) kanë përfituar gjithsej rreth 65 mijë persona, të punësuar në gati 39 mijë subjekte të vogla. Shuma e akorduar për ta, përfshirë edhe dyfishimin e pagesave të papunësisë është 5.8 miliardë lekë.

Për paketën e dytë, që përfshinte katër masa (të punësuarit e tjerë të bizneseve të vogla që nuk përfituan nga paketa e parë; të punësuarit te biznesi i madh që ishin të mbyllur nga urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë; të punësuarit te biznesi i madh të larguar nga puna deri në 16 maj; Të punësuarit e subjekteve që ushtrojnë aktivitet në sektorin e strukturave akomoduese, që ishin në listëpagesa)janë paguar gjithsej 172.4 mijë persona, për një vlerë prej 8.9 miliardë lekësh.

Në total, shuma e paguar për mbështetjen e biznesit për të dy paketat ishte 12.7 miliardë lekë.