Rregullat e reja për të udhëtuar me autobusë në Prishtinë – ja si mund të hipni në urban

Mbyllja e detyrueshme e shumicës së aktiviteteve për shkak të rrezikut nga përhapja e Koronavirusit, solli probleme të shumta e nga më të ndryshmet për qytetarët e gjithë globit. E një prej problemeve që po përballen edhe qytetarët e Kosovës, është ndalimi i qarkullimit të autobusëve urban dhe ndër-urban në Kosovë. Por, tashmë autobusët po bëhen gati të rinisin punën. Tani po përpilohen rregulla të reja se si do të lejohen udhëtarët të hipin në autobusë.

Ndalimi i autobusëve erdhi me arsyetimin se kështu do të ndikohet në parandalimin e përhapjes së Koronavirusit. Vendimi u mor nga niveli qendror, pra Qeveria e Kosovës dhe prej 23 marsitu reduktuar qarkullimin e autobusëve dhe pak ditë më vonë u ndalua plotësisht.

Këtë vendim e kanë kundërshtuar kryetarët e komunave, sidomos i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, i cili tha se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratë Publike mori vendim pa konsultim paraprak me të.

Reklama e sponzorizuar

“Përderisa kemi qenë përkrahës kryesor të masave restriktive, dhe po ashtu kemi mbështetur secilin vendim të nivelit qendror, ky vendim është marr pa asnjë konsultim, as edhe 30 sekondësh me Komunën e Prishtinës e as me komunat tjera”, kishte shkruar Ahmeti në rrjetin social Facebook.

E pas rënies së numrit të infektimeve me koronavirus, Ministria e Shëndetësisë mori vendim dhe prej 4 majit ka filluar lehtësimi gradual i masave të izolimit. Sipas asaj që ka njoftuar Ministria, lehtësimi i masave do të zhvillohet në TRI FAZA. Faza e parë fillon nga 4 maji deri më 18 maj, e dyta  nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa faza e tretë hyn në fuqi më 2 qershor.

E në fazën e dytë është paraparë që të lejohen e të fillojnë të qarkullojnë autobusët e trafikut urban dhe ndër-urban në Kosovë, shkruan FaktePlus.

Në fakt prej datës 18 maj sipas planit të Qeverisë, pritet të fillojnë qarkullimin urbanët e ndër-urbanët veçse me leje të veçantë. Kurse me përmirësimit e situatës prej 2 qershorit, kur parashihet faza e tretë, planifikohet edhe lejimi i qarkullimit të rregullt sikur para pandemisë.

E tash në pritje të fillimit të punës zyrtarët nga Kompania “Trafiku Urban” në Prishtinë thonë se kanë  menduar dhe po planifikojnë që ditët e para të vejnë disa rregulla e masa mbrojtëse, në mënyrë që të mos përhapet koronavirusi.

Kryeshefi ekzekutiv i “Trafikut Urban”, Lulzim Rexhepaj në një përgjigje me shkrim dhënë Agjencisë së Lajmeve FaktePlus, ka bëtë të ditur se tashmë autobusët e kësaj ndërmarrjeje janë gati që të fillojnë punën.

Ai thekson se bazë të rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë, do të zhvillojnë procesin e punës madje edhe nëse nuk ka rekomandime, menaxhmenti i ndërmarrja ka paraparë masa të reja mbrojtëse.

“Autobusët tanë janë teknikisht të përgatitur për të filluar operimin, por kuptohet që puna do të fillojë pas vendimit nga institucionet përgjegjëse. Nëse IKSHPK apo institucionet përgjegjëse të Kosovës nuk rekomandojnë ndryshe, menaxhmenti i NPK Trafiku Urban ka planifikuar disa rregulla e masa mbrojtëse”, ka thënë Rexhepaj për FaktePlus.

Rregullat dhe masat mbrojtëse që do të ndërmerr Trafiku Urban

Sipas drejtueseve të ndërmarrjes, në këtë drejtim kanë bërë planifikimin se si do të bëhet menaxhimi i udhëtarëve nëpër autobusë.

Nga Trafiku Urban tutje theksojnë se do të caktohet edhe numri i udhëtarëve që do të lejohen të hipin nëpër autobusë.

“Udhëtarët do të obligohen që para se të hyjnë në autobus, t’i vendosin maskat dhe dorëzat. Për t’u respektuar distanca fizike, do të lejohet vetëm, një numër i caktuar i udhëtarëve brenda autobusit. Ulëset do te shënohen se në cilat nuk lejohet. Kjo për t’u mbajtur distanca brenda në autobus. Kondukteri do të qëndron pranë kabinës së shoferit dhe hapësira e tij do të ndahet me shirit. Autobusët do të dezinfektohen dhe brenda do të ketë shishe me dezinfektues të lëngshëm”, ka bërë të ditur Rexhepaj.

Hapja e Kosovës në TRI FAZA

Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me ministritë e tjera ka hartuar planin për relaksimin e masave parandaluese ndaj koronavirusit të ndarë në 3 faza.  Aktualisht Kosova është në fazën e parë që ka filluar nga 4 maji deri më 18 maj, e dyta  nga 18 maji deri më 2 qershor, ndërsa faza e tretë hyn në fuqi më 2 qershor, raporton FaktePlus

Sipas kësaj ndarje, në fazën e parë është paraparë të zgjatet orari i lëvizjes nga 1 orë e gjysmë në ditë në 3 orë – sipas numrit të parafundit të letërnjoftimit e ndarë në dy pjesë nga 90 minuta, para dhe pas dite. Në fazën e parë pritet të hapen ndërtimtaria, patundshmëria, tregtia e automjeteve, tregtia me pakicë e zyrat e konsulencës.

Në fazën e dytë, që fillon më 18 maj nëse situata epidemiologjike në Kosovë është e mirë parashihet riorganizimi i qarkullimit të qytetarëve. Gjithashtu, pritet të lëshohet në funksion tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban, qendrat e thirrjeve dhe hapja e muzeve e galerive.

Në fazën e tretë e cila fillon më 1 qershor pritet që përsëri bazuar në situatën epidemiologjike të riorganizohet lëvizja e qytetarëve, ndërsa gjithashtu pritet të lirohet transporti urban dhe ndër-urban në përgjithësi, taksitë, gastronomia në përgjithësi, provimet në arsimin e lartë, hapja e kinemave dhe teatrove, testi i arritshmërisë dhe i maturës dhe hapja selektive e disa sporteve.