Fuqizimi i mëtejshëm i sektorit të prodhimtarisë krahas zhvillimit të sektorit të shitjes me pakicë, është parakusht për zhvillimin e ekonomisë së vendit, ndërsa bashkëpunimi ndërsektorial jetik për përcaktimin e trajektores së nivelit të këtij zhvillimi.
Kështu thuhet në një komunikatë për media të Klubit të Prodhuesve të Kosovës, të cilët në bashkëpunim me Rrjetin e Shitësve me Pakicë organizuan vizita në rrjetet e disa supermarketeve, ku dhe u takuan me udhëheqësit e kompanive përkatëse.
“Thellimi i bashkëpunimit, sigurimi i furnizimit gjatë kohës së pandemisë, njohja më e afërt me kërkesat e konsumatorëve dhe bashkërëndimi i hapave që mundësojnë zhvillimin e të dy sektorëve, ishin arsyet e organizimit të këtyre takimeve. Prodhuesit u shprehen të kënaqur me takimet ndërsa falënderuan rrjetet për bashkëpunimin e deritanishëm, teksa theksuan nevojën e rritjes së përkrahjes edhe më shumë në të ardhmen. Në anën tjetër, edhe udhëheqësit e këtyre zinxhirëve me pakicë, vlerësuan angazhimin e prodhuesve në zhvillimin e produkteve të reja cilësore në treg teksa ofruan mbështetje dhe kërkuan që komunikimi në mes të palëve të vazhdoj, ku do të hapen rrugë të reja të bashkëpunimit dhe veprimit. Të dy palët u pajtuan që përveç fokusit në tregti të brendshme të intensifikojnë bashkëpunimin në të ardhmen për plasimin e produkteve vendore edhe në tregjet e rajonit, ndërsa u potencua dhe nevoja e rishikimit të legjislacionit për tregti në mënyrë që të trajtohen çështjet të cilat vështirësojnë zhvillimin e këtyre dy sektorëve me rëndësi themelore për ekonominë e vendit”, thuhet në komunikatë.
Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Rrjeti i Shitësve me Pakicë, ditëve në vijim do të organizojnë dhe takime të tjera në mes anëtarëve që përfaqësojnë me qëllim të thellimit të bashkëpunimit dhe krijimit të një platforme që ofron alternativa për zhvillimin e vendit.