Thaçi e quan të dështuar qasjen e Qeverisë Kurti për rimëkëmbjen ekonomike

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mbajti takim sot në Odën Ekonomike të Kosovës, me kryetarin Berat Rukiqi dhe afaristët.

Para mediave, Thaçi e quajti të dështuar Qeverinë në detyrë për sa i përket rimëkëmbjes ekonomike.

“Kosova gradualisht por sukesshëm po tejkalon këtë situatë emergjente. Është obligim për institucionet e vendit, të rikthehemi me përkushtim maksimal në jetën normale, por të ketë rimëkëmbje ekonomike. Do të punojmë të gjithë bashkërisht sepse është jetike të nxirret një pako e plotë dhe e qartë”, tha Thaçi, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Thaçi tha se do të parashihen të gjitha masat tjera që duhet ndërmerren nga institucionet.

“Për fat të keq deri më tani kemi pasur një qasje jo serioze të dështuar të qeverisë sa i përket rimëkëmbjes ekonomike”, u shpreh Thaçi.

Rukiqi tha se “Jemi në një situatë të pazakonshme pasi pandemia nuk ndikoi vetëm në shëndetin publik por pati ndikim edhe në ekonomi”.

“Kemi kërkuar konsensus politik që mundëson që Kosova të ketë një pako për rimëkëmbje ekonomike të shpejt por pa dëme afatgjate. Me presidentin diskutuam gjendjen e bizneseve, efektet e masave të deri tashme dhe rolin e institucioneve”, u shpreh ai.