Gjykata Kushtetuese dje u ankua për presione politike, por sot në “adresë të saj” ka shkuar edhe një e tillë.
Kryetari i Aleancës Për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se rrëzimi eventual i dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër, do të rrezikonte demokracinë në vend.
Haradinaj, që tashmë ka arritur pajtueshmëri me LDK-në për qeverinë e re, thotë se nuk mund t’i mohohet partisë së dytë krijimi i qeverisë.
“Unë e shoh si të pamundur me iu mohu edhe të dytit me e bë qeverinë kur i pari nuk e bënë. Sepse rrezikohet krejt demokracia jonë, nga fakti se sa herë që kemi zgjedhje nëse i pari nuk arrin me formu, atëherë do na duhet me shku prapë në zgjedhje. E shoh bukur të vështirë me u shpall dekreti ta zëmë jokushtetues. Ne jemi subjekt politik i qëndrueshëm e funksional, punojmë edhe nuk e kemi shqetësim çështjen e zgjedhjeve sa i përket Aleancës. Shqetësim do të ishte koha në këtë rast, që do ishte e gjatë e humbur dhe në vend që me pas një qeveri që është menjëherë e mandatuar nga parlamenti, në mënyrë që me iu përkushtu temave ekonomike e të tjerave, atëherë kishte me u humb bukur shumë kohë me zgjedhje e pastaj me krijim të qeverisë, kështu që ne do e humbisnim krejtësisht këtë vit, dhe nuk besoj që është kohë e duhur”, ka thënë ish-kryeministri Haradinaj, përcjell KP-ja.
Ai po ashtu ka mohuar që marrëveshja për presidentin të jetë diskutuar me LDK-në.
Gjykata Kushtetuese pritet që deri më 29 maj të marr vendim për dekretin e presidentit, të cilin e kundërshton VV-ja si fituese e zgjedhjeve të fundit. VV-ja, thotë se sipas Kushtetutës, i takon vetëm asaj krijimi i qeverisë.
Gati çdo ditë, partitë e përfshira në kë çështje kanë folur “se si presin të jetë vendimi i Kushtetueses”, për çka ka shtyrë këtë të fundit të reagoi dje.
Qeveria Kurti u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars.