129 raste janë shënuar sot në Kosovë, duke bërë kështu që kjo shifër të jetë më e madhja që nga fillimi i situatës me pandeminë në vend.
Numri më i madh i rasteve është shënuar në kryeqytet. Janë gjithsej 46 persona që janë konfirmuar të infektuar në 24 orët e fundit, raporton KOHA.
Sipas IKSHPK-së, 45 raste janë në Prishtinë dhe një rast në Hajvali. Që nga dy qershori, ky numër ka shkuar në 130 raste.
Që nga lehtësimi i masave, më 1 qershor, numri i rasteve me koronavirus në vend është rritur. Ndër qytetet me më së shumti raste është Prishtina dhe Vushtrria.
Ahmeti thotë se është koha për shtim të testeve për COVID-19
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se është koha për shtim të numrit të testeve për COVID-19.
Në 24 orët e fundit në Prishtinë janë konfirmuar 46 raste të reja, shifra këto të cilat Shpend Ahmeti i ka quajtur alarmante.
“Para se të vendosni se cili ministër ka faj, ju kisha lut të mendoni mirë për veten dhe familjet e juaja. Shumica e rasteve janë raste të kontaktit, pra vajtje-ardhje me njerëz me virus. Disa janë pa simptomë dhe mendojnë se nuk ka lidhje që dalin. Disa mendojnë që është konspiracion i shteteve të mëdha. Por e vërteta është se virusi është në mesin tonë. Natyrisht, nuk e kemi besuar se do të mbesim me zero raste, por edhe pakujdesi të plotë nuk kemi menduar”, shkruan Ahmeti në Facebook.
Kreu i Prishtinës paralajmëron se në rast të vazhdimit të shifrave të tilla si këto sot me koronavirus, atëherë IKSHP dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërmarrin vendime më drastike.
“Ne si komunë, do të zbatojmë vendimet e qeverisë sipas rekomandimeve të IKSHP, por tani mendojmë se është koha për decentralizim të testimeve në komuna dhe shtim të testeve për virus dhe testimeve serologjike. Ajo do të jetë mënyra e vetme për të kuptuar rrjedhën e virusit. Siç po thonë edhe ekspertët, do të duhet të mësohemi të bashkëjetojmë me virusin deri në vaksinë, por nuk duhet të lejojmë humbje të kontrollit”, ka thënë Ahmeti.
Sipas tij, lajm pozitiv është fakti se numri i pacientëve me komplikime nuk është shtuar sikurse numri i të infektuarve dhe nuk ka fatalitete shtesë, por kjo sipas Ahmetit nuk do të mbahet kështu nëse rriten numrat e të infektuarve.