40 raste të reja me koronavirus në Kosovë

40 raste të reja me koronavirus janë shënuar sot në Kosovë, njofton IKSHPK-ja.

Sipas njoftimit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 296 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.

“Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 10 raste (sipas vendbanimit: 10 raste Prishtinë), komuna e Vushtrrisë 8 raste (sipas vendbanimit: 6 Vushtrri, 1 Akrashticë, 1 Maxhunaj), komuna e Prizrenit 7 raste (sipas vendbanimit: 4 Tupec dhe 3 Prizren), komuna Fushë Kosovë 6 raste (sipas vendbanimit: 3 Fushë Kosovë dhe 3 Miradi e Poshtme), komuna Obiliq 5 raste (sipas vendbanimit: 5 Milloshevë), dhe me nga 1 rast komuna Skenderaj (vendbanimi: 1 Likoc), komuna Gjilan (sipas vendbanimit: 1 Gjilan), komuna e Rahovecit (sipas vendbanimit: 1 Rahovec) dhe komuna e Mitrovicës (sipas vendbanimit: 1 Mitrovicë)”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkaq njoftohet se janë shëruar 6 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 890 raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 07 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 16.674 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.234 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje në njoftim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike thotë se që kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, janë gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës e në veçanti në komunën e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.

Sipas tyre, pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojë rrezikun e përhapjes së infeksionit, përderisa siç thonë ata, virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve.

“Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve”, thotë ai.

IKPSHK ka bërë apel që qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.