63 punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës pritet të testohen për koronavirus, pas konfirmimit të pesë rasteve brenda kësaj korporate të enjten.
Zëdhënësi për media i KEK-ut, Skënder Bucolli, ka thënë për KOHË-n se nuk dihet se kur do të testohen këto raste të kontaktit, por se ka njoftuar se të njëjtit do të qëndrojnë në vetizolim 14 ditë, pavarësisht rezultatit.
Ai tutje ka inkurajuar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike që sa më shpejtë të testohen këta persona, për shkak të natyrës së fushëveprimit të tyre.
“Këta pesë persona kanë dalë nga një departament që është i izoluar. Inkurajoj IKSHPK-në që sa më parë të bëhet testimi i tyre. Ne kemi bërë kërkesë që sa më shpejtë të testohen duke pasur parasysh edhe fushëveprimin tonë”, ka thënë ai
Bucolli ka thënë se kontaktet e këtyre personave janë identifikuar, përfshirë edhe gjatë udhëtimeve të tyre me transport.
“Ne i kemi identifikuar kontaktet e këtyre pesë personave, përveç kësaj kemi identifikuar edhe udhëtimet me transport që i kanë pasur”, ka thënë ai.
Pesë punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë rezultuar pozitivë me COVID-19 të enjten. Lajmi është bërë i ditur nga KEK-u. Të mërkurën është raportuar një rast pozitiv në Obiliq, e që është konfirmuar nga komuna se është punëtor i KEK-ut.