Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se situata e krijuar nga përhapja e pandemisë Covid-19, ua ka rikthyer vëmendjen qytetarëve tek nevojat bazike sikurse është ushqimi i sigurt.
Sipas tij, është e nevojshme që të rikthehet vëmendja tek bujqësia, në mënyrë që të përmbushen sa më shumë nevojat tona me prodhime ushqimore vendore dhe të ulim sa më shumë varësinë nga jashtë.
“Situata emergjente e pandemisë, solli mbylljen e kufijve, ndalimin e rrjeteve të transportit dhe ndërprerjen e punës për shumë qytetarë, duke kërcënuar kështu seriozisht furnizimin e rregullt të ushqimit. Jo vetëm për Kosovën, por për mbarë botën, kërcënimi i koronavirusit solli radhët për miell a produkte të tjera dhe riktheu vëmendjen tek nevojat bazike të qytetarëve, sikurse është ushqimi i sigurt. Prandaj, është e nevojshme që edhe ne, të rikthejmë vëmendjen tek bujqësia jonë, në mënyrë që të përmbushim sa më shumë nevojat tona me prodhime ushqimore vendore dhe të ulim sa më shumë varësinë nga jashtë. Prandaj, duhen ndërmarrë politika stimuluese që nxisin shfrytëzimin e tokave të papunuara dhe mbrojnë fermerët vendas nga konkurrenca e pandershme e produkteve të importit”, ka thënë Veseli.
Ai ka kërkuar nga institucionet shtetërore që të marrin masa më të rrepta në mënyrë që tokat bujqësore të mbrohen dhe të mos lejohet të degradohen apo ndryshojnë destinacionin.