Afro 400 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike

Qeveria e Kosovës premton të kompensojë dëmet në ekonomi, të shkaktuara nga rënia e aktivitetit gjatë pandemisë, me mbështetjen financiare prej 385 milionë eurove.

Projektligji për plotësimin e Ligjit të buxhetit, i miratuar nga ekzekutivi të mërkurën, ka paraparë ndihmën direkte për bizneset dhe qytetarët e goditur nga pasojat e pandemisë.

“Ky fond e kompenson plotësisht rënien ekonomike që kemi pasur gjatë këtyre muajve për shkak të pandemisë. Ky fond do të ndahet tash për masat për rimëkëmbje ekonomike, që e kemi pjesë të programit qeverisës, që është votuar në mbledhjen e parë të Qeverisë”, ka theksuar kryeministri Avdullah Hoti, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Qeveria në projektligj ka paraparë edhe Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike. Në draftin e siguruar nga KOHA vihet re se aty është shtuar një nen ku thuhet se të gjitha mjetet monetare për rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë duhet të kalojnë në Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Krijohet Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, përmes të cilit ndahen mjetet sipas propozimit të ministrit dhe Qeverisë, bazuar në planin e zbatimit të aprovuar nga Qeveria”, thuhet në Projektligjin për buxhetin.

Pas rishikimit të buxhetit, po ashtu është mundësuar edhe mbledhja e ndihmave financiare që Kosova ka marrë nga marrëveshjet ndërkombëtare për luftimin e COVID-19. Nenit 14 të Ligjit bazë të buxhetit që ishte miratuar në mars të vitit 2020, i është shtuar edhe paragrafi 7 që e autorizon Ministrinë e Financave që këto mjete t’i alokojë në Programin për Rimëkëmbje Ekonomike.

“Autorizohet Ministria e Financave që për marrëveshjet financiare ndërkombëtare të parapara në këtë ligj – “Projekti Emergjent Covid-19 për Kosovën” me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, dhe projekti “Instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj Covid-19” me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, me rastin e ratifikimit të tyre, përmes Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike të buxhetojë dhe alokojë për shpenzim te organizatat buxhetore bartëse të projekteve, për të rimbursuar dhe zëvendësuar burimet e financimit për shpenzimet e ndodhura (të destinuara për Covid-19) nga granti qeveritar deri në fund të vitit fiskal”. Vlera e këtyre ndihmave arrin deri në 40 milionë euro, sipas shënimeve të specifikuara në Projektligjin e buxhetit.

Përpos kësaj, Ministria e Financave ka arritur të sigurojë edhe fonde të tjera për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike.

Nga burimet e rregullta buxhetore janë siguruar 74 milionë euro, nga nënhuazimet nga ndërmarrjet publike rreth 14 milionë euro dhe mbi 100 milionë euro janë buxhetuar nga procesi i likuiditetit dhe privatizimi, duke e çuar kështu në 188 milionë euro buxhetin për Programin e Rimëkëmbjes Ekonomike, thuhet në Projektligjin për buxhetin. Përveç këtyre mjeteve, janë identifikuar edhe 120 milionë të tjera, por që nuk është cekur burimi i mjeteve.

Shpenzimet për masat emergjente në përballje me koronavirus pritet të jenë mbi 220 milionë euro.

“Shpenzimet për masat emergjente konsistojnë në 13 milionë euro për mallra dhe shërbime; rreth 14 milionë euro në paga dhe shtesa; dhe 131 milionë euro për subvencione dhe transfere. Burimet për financim të masave emergjente përmes huamarrjes Instrumenti për Financim të Sektorit Publik për Reagim Emergjent ndaj COVID-19 nga CEB në vlerë prej 27 milionë euro, si dhe Projekti Emergjent COVID-19, për Kosovën nga Banka Botërore në vlerë prej 36.8 milionë euro. Pjesa tjetër financohet nga granti qeveritar”, thuhet në projektligj.

Me rishikim të Ligjit për buxhetin, sipas Ministrisë së Financave, do të ketë rritje të shpenzimeve rreth 25.2%, ndërsa të hyrat vjetore pritet të jenë 5.3% më të ulëta, e shtyrë kjo nga rënia e aktivitetit ekonomik.

Projektligji për buxhetin e vitit 2020, pas rishikimit dhe ndryshimeve nga ai paraprak, është miratuar më 17 qershor në Qeveri dhe pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Kryeministri Avdullah Hoti në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën, ka thënë se me mobilizimin e këtyre mjeteve nga burimet e brendshme, nga buxheti i shtetit, nga mbështetja e donatorëve dhe nga bankat zhvillimore do të arrihet brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ministria e Financave, sipas tij, ka bërë punë të madhe për t’i mobilizuar mbi 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë eurosh si rezultat i pandemisë nga mungesa e aktivitetit ekonomik, dhe gjithashtu për të krijuar fondin për rimëkëmbje ekonomike të Republikës së Kosovës në shumë prej 385 milionë eurosh.

“Përgjatë këtij viti deri në vjeshtë, ne fusim në ekonomi 385 milionë euro, si ndihmë direkte për biznese dhe për qytetarët për të tejkaluar koston e kësaj pandemie me të cilën jemi përballur, që është më shumë sesa ndikimi negativ që kemi pasur në ekonomi, dhe në fakt që parashihet të jetë rreth 4-5 për qind të bruto produktit vendor”, ka deklaruar Hoti.

Kryeministri ka premtuar se një program për zhvillim ekonomik afatgjatë do të prezantohet në vjeshtë të këtij viti.

“Kur ta votojmë buxhetin për vitin 2021 në vjeshtë të këtij viti, ne do të tregojmë saktë se si do të mobilizojmë pjesën tjetër të Fondit 1.2 miliardë euro që do të futet në ekonomi gjatë këtij viti dhe gjatë vitit 2021”, ka theksuar ai.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka folur të mërkurën për fondin e përbashkët prej 385 milionë eurosh të destinuar për zbatimin e masave të pakos emergjente dhe masave të rimëkëmbjes.

“Kemi qenë të kujdesshëm, sepse nuk kemi larguar nga buxheti i vitit 2020 as edhe një projekt të vetëm kapital”, ka deklaruar Bajrami.

Që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë, kategoritë e subvencionuara kanë marrë vetëm një pjesë të shumës së premtuar. Ish-Qeveria Kurti, që ka menaxhuar pjesën më të madhe të kësaj periudhe, është arsyetuar me pamundësinë e ndërhyrjes në linjat buxhetore dhe për mungesën e vullnetit të deputetëve të shumicës së partive parlamentare për të ratifikuar marrëveshjet financiare ndërkombëtare.

Legjenda: Projektligji për plotësimin e Ligjit të buxhetit, i miratuar nga Qeveria, ka paraparë ndihmën direkte prej 385 milionë eurosh për bizneset dhe qytetarët e goditur nga pasojat e pandemisë.