Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar se ka anuluar fluturimet e parapara deri më datën 14 të këtij muaji.
Sipas ANP-së, këto fluturime janë anuluar nga kompanitë ajrore.
“Ju njoftojmë se deri më datë 14 qershor 2020 nuk ka fluturime. Fluturimet që janë publikuar më herët për datat 13 dhe 14 qershor 2020, janë anuluar nga kompanitë ajrore”, thuhet në njoftimin e ANP-së, përcjell Telegrafi.
Gjatë një konference për medie, zëdhënësja e këtij aeroporti, Valentina Gara kishte thënë se ende nuk ka një datë zyrtare se kur do të lejohen fluturimet, por që tha se beson se shumë shpejt do të merret një vendim i tillë.
Kurse, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi pati njoftuar se pret që fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” të rinisin brenda dhjetë ditësh.
Kosova ka regjistruar rastet e para me COVID-19 më 13 mars dhe menjëherë ka vendosur masa izolimi, përfshirë mbylljen e kufijve, të shkollave dhe të gastronomisë.
Lehtësimi i masave ka nisur të bëhet gradualisht qysh më 4 maj.