Austria do t’i heqë kontrollet kufitare me Italinë dhe me shumicën e vendeve të BE-së

Austria do t’i heqë kontrollet kufitare me Italinë e po ashtu edhe kërkesat për karantinë për më tepër se 20 shtete evropiane, duke filluar nga 16 qershori, ka njoftuar të mërkurën Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.

Austria ka shumë vizitorë nga shteti fqinj Gjermania, me të cilën e ka hapur tashmë kufirin, kështu që kjo lëvizje do të ketë ndikim të madh te austriakët, që do të jenë në gjendje të kthehen nga destinacionet e tyre verore si Italia e Kroacia pa pasur nevojë të karantinohen apo të tregojnë një test negativ.

“Ne po hapim kufijtë e Austrisë me gjithë shtetet e BE-së, EFTA-s (Asociacionit Evropian të Tregëtisë së Lirë) dhe EEA (Zonës Ekonomike Evropiane) me katër përjashtime – Suedinë, Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Portugalinë”, ka thënë Schallenberg në konferencë për media.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka shtuar se pasi Spanja ka thënë se do të mbajë kufijtë e mbyllur deri në fund të qershorit, dy shtetet mund të largojnë kufizimet mes vete nga 1 korriku. Kufizimet me tri shtetet tjera mbesin në fuqi deri në një njoftim tjetër. Ministri i Shëndetësisë, Rudolf Anschober ka cituar se Britania dhe Suedia kanë një nivel më të lartë të infeksionit.

Austria, që kufizohet me tetë shtete, javën e kaluar ka hequr kontrollohet kufitare për gjitha shtetet me të cilat kufizohet, me përjashtim të Italisë, duke zemëruar Romën. Lëvizja e marrë të mërkurën do të zbusë tensionet me shtetin fqinj, por vjen me atë që Schallenberg e ka quajtur “paralajmërim të pjesshëm të udhëtimit” për Lombardinë, rajonin italian që ishte goditur më së rëndi nga koronavirusi.

“Ne urgjentisht i paralajmërojmë austriakët që të mos udhëtojnë në këtë rajon”, ka thënë Schallenberg, pa cekur nëse do të ketë masa ndaj atyre që vijnë në Austri nga Lombardia.