BE për situatën në Kosovë: Ne lehtësojmë dialogun, nuk diktojmë bashkëbiseduesit

Bashkimi Evropian nuk komenton mbi veprimet te Dhomës dhe Zyrës së Prokurorit të specializuar në Kosovë, por mbështet punën e këtyre institucioneve. Reagimi erdhi nga zëdhënësi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Peter Stano :

Në lidhje me hetimin e lajmëruar dje, ne vetëm mund të themi se kjo u bë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe nga Dhoma e Specializuar, dhe ato janë institucione të pavarura. Ne nuk i komentojmë veprimet e tyre, por Bashkimi Evropian e mbështet fort këtë institucion, sepse është i rëndësishëm, transmeton euronews zëdhënësin e Përfaqësuesit të Lartë.

“Në lidhje me pyetjen për takimin në Uashington, ju e dini se BE nuk është pjesë e atij takimi dhe nuk na takon neve të komentojmë, por e dini se përfaqësuesit e Kosovës janë tërhequr dhe nuk do të udhëtojnë për atje.

Reklama e sponzorizuar

“Çfarë ka rëndësi për ne si BE është të fokusohemi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe këtë po bëjmë. Dhe ne mendojmë ende se çfarë lajmëroi përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, pas takimeve në Prishtinë dhe Beograd, se Dialogu duhet të rinisë në korrik në Bruksel.”

I pyetur se sa do të ndikojnë akuzat kundër Presidentit Thaçi për vetë dialogun dhe se a do të jetë Presidenti i Kosovës tashmë një bashkëbisedues i vlefshëm për BE-në, Stano u përgjigj :

“BE-ja, siç e kemi përsëritur shumë herë, është shumë e angazhuar në rolin e saj si lehtësuese mes Beogradit dhe Prishtinës, por nuk jemi ne ata që diktojnë se cilët janë bashkëbiseduesit tanë. Nuk i takon BE-së të zgjedhë bashkëbiseduesit e saj, por në këtë rast, i takon Kosovës dhe autoriteteve të saj që të vendosin se cila është mënyra më e mirë për të t’i shërbyer interesit të saj dhe për të qenë e përfaqësuar në mënyrën më të mirë.”

Stano theksoi se BE ka pranuar rolin e lehtësueses mes palëve, por nuk është ajo që i zgjedh palët përfaqësuese të dy vendeve në këtë dialog.

Në lidhje me zhvillimet dhe ndikimin në Kosovë të ngjarjeve të fundit, zëdhënësi i Borrel përsëriti se BE pret që Kosova të respektojë angazhimet në lidhje me respektimin e rendit ligjor dhe të punës dhe mandatit të Zyrës së Prokurorisë së specializuar.