Bizneset e grave në Kosovë në rrezik të mbylljes nga pandemia

Biznese të udhëhequra nga gratë në Kosovë janë goditur rëndë nga masat që Qeveria e Kosovës ka marrë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

‘Let Center’, një institucion edukativ arsimor privat i udhëhequr nga Lida Hoxha është një biznes i cili u ndikua nga pandemia COVID-19.

Tre vjet më parë ajo hapi biznesin e saj ‘Let Center ‘ i cili punëson 15 persona, shumica prej tyre janë gra.

Reklama e sponzorizuar

Përkundër shumë sfidave që kishte pasur tri vite më parë ajo arriti ta hapte biznesin e saj.

Gjithçka shkonte shumë mirë, thotë Hoxha, derisa në Kosovë filluan masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Sigurisht që ka qenë një afektim direkt në biznesin tonë. Ne jemi qëndrim ditor për fëmijët dhe në momentin që qeveria ka dal me një vendim për të mbyllur shkollat dhe institucionet arsimore, ne jemi mbyllur. Humbjet janë të mëdha duke pasur parasysh që kemi pasur dy shtëpi me qira të cilat janë të kushtueshme, shërbimet tjera si dhe stafi i cili është paguar”, thotë ajo.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars.

Hoxha thotë se gjatë kësaj kohe nuk ka pezulluar askënd nga puna, por që vë në dyshim se kur të rifillohet më punën do të mund të këtë punë për të gjithë.

“Realisht që tre muaj të gjithë jemi në pritje nuk kemi menduar se do të zgjasë kaq shumë. Tani do të shohim a do të kthemi të gjithë në punë si do të shkojë rihapja. A do të sjellin të gjithë fëmijët në kopsht dhe a do të punohet me numër të njëjtë të fëmijëve”, thotë Hoxha.

Masat e marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kanë prekur ekonominë e Kosovës. Humbjet konsiderohen të mëdha dhe atë deri në 6 milionë euro në ditë sipas parashikimeve të bëra nga institucionet e Kosovës.

Organizatat ekonomike në Kosovë në bazë të një hulumtimi kanë vënë në pah se mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se pandemia COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre.