Bizneset kërkojnë që sa më herët t’ju ndahen mjetet e mbetura të Pakos Emergjente

Qeveria e kaluar e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti kishte miratuar Pakon Emergjente Fiskale, ku ishte paraparë që të ndihmohen individët dhe bizneset që kanë hasur vështirësi si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik nga përhapja e pandemisë COVID-19 në vend.

Sipas Ministrisë së Financave, më shumë se dy muaj që nga miratimi i kësaj pakoje, vlera e paguar nga totali prej 179.65 milionë euro, janë ndarë vetëm 65.6 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

“Deri tani, janë realizuar pagesa për mbi 440 mije përfitues në vlerë prej afër 65.6 milionë euro. Pagesat do të realizohen në vazhdimësi ashtu siç vijnë nga ministritë e linjave përgjegjëse për zbatimin e Pakos Emergjente”, ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.

Lidhur me këtë, komuniteti i bizneset në vazhdimësi është duke kërkuar që t’ju ndahet pjesa e dytë e mjeteve të zotuara në këtë pako.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi për Telegrafin ka thënë se, vazhdimisht është kërkuar nga qeveria që të ndahet pjesa e dytë që ishte zotuar në këtë pako.

“Dje në takim me kryeministrin Avdullah Hoti, kemi kërkuar që sa më herët të shpërndahet pjesa e dytë e mjeteve të zotuara në pako. Edhe pas dy muaj të miratimit, mos shpërndarja e pjesës së mbetur po sjell vështirësi në punët e biznesit. Presim që shumë shpejtë pas rishikimit të buxhetit, mjetet e mbetura të barten”, tha Rukiqi.

Vlera totale financiare e Pakos Emergjente Fiskale është 179.65 milionë euro.