Carl Bild nuk do të habitet nëse intensifikohet puna për mbylljen e Speciales

Bashkëkryesuesi i Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Carl Bildt, nuk do të habitej nëse përpjekjet për të zhbërë Gjykatën Speciale do të shtoheshin tash, kur janë ngritur aktakuzat për presidentin e vendit Hashim Thaçi dhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai përmes Twitterit ka pyetur kryeministrin Avdullah Hoti, se pse pikërisht në këtë kohë, para takimit Kosovë – Serbi, që ishte paraparë për 27 qershor në Washington, Prokurori Special ka publikuar aktakuzën.

Reklama e sponzorizuar

“Pse Prokurori Special vendosi që tash, papritmas, të bëjë publike aktakuzën kundër presidentit të Kosovës, Thaçi? Ndoshta ai kishte indikacione se Thaçi po përpiqej të mobilizonte Shtëpinë e Bardhë për të mbyllur Gjykatën Speciale. Unë nuk do të habitem nëse përpjekjet e tilla tash do të intensifikohen”, ka shkruar Bild, ish-kryeministër dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Suedisë.

Në fakt, Prokuroria e Dhomave Speciale e nxori në publik njoftimin për akuzat, për shkak të siç tha “përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së”.