Ekonomia e amerikane ndodhet në recesion, bëri të ditur të hënën një grup studimor i politikave ekonomike, gjë që shënon fundin e rritjes më afatgjatë që ka pësuar ekonomia e vendit. Një komision i Byrosë Kombëtare për Kërkimeve Ekonomike, një organizatë private jofitimprurëse që bën studime në fushën e ekonomisë, thotë se recesioni nisi në muajin shkurt.
Sipas përkufizimit të përgjithshëm të organizatës kemi të bëjmë me recesion kur “aktiviteti ekonomik shënon një rënie që zgjat më shumë se disa muaj”.
“Për të vendosur nëse do ta identifikojmë si recesion, komiteti peshon thellësinë e tkurrjes ekonomike, kohëzgjatjen e tij dhe nëse aktiviteti ekonomik ka rënë gjerësisht në të gjithë vendin. Komiteti pranon se pandemia dhe reagimi i shëndetit publik kanë rezultuar në një rënie me karakteristika të ndryshme”, thuhej në një deklaratë të kësaj organizate (NBER).
Organizata thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto ra në një normë vjetore prej 4.8 për qind në tre muajt e parë të vitit ndërsa papunësia u rrit me shpejtësi të madhe nga 3.5 për qind në shkurt në 14.7 për qind në muajin prill, duke pësuar një rënie në 13.3 për qind muajin e kaluar, por që gjithësesi përbën një nivel të lartë të papapunësisë në vend.
Disa ekonomistë parashikojnë se recesioni aktual do të jetë i shkurtër dhe se situata do të ndryshojë me rritjen e prodhimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës falë rifillimit të veprimtarive ekonomike.
Por optimizmi i tyre zbehet nga parashikimet për një rikthim të mundshshëm të koronavirusit. Nëse kjo ndodh, thonë ata, mund të duhen më shumë se dy vjet që ekonomia amerikane të kthehet në nivelet e para pandemisë.
Të hënën lajmet nga Banka Botërore ishin gjithashtu të zymta. Sipas parashikimeve të saj ekonomia globale do të tkurret me 5.2 për qind këtë vit, që do të ishte recesioni më i thellë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Banka Botërore tha se kriza e lidhur me pandeminë dhe ajo ekonomike mund të detyrojë miliona njerëz në të gjithë botën që të jetojnë në kushte varfërie ekstreme./VoA