Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është tkurrur në nivel rekord përgjatë muajit prill – 20.4 për qind – si pasojë e masave të izolimit që synojnë të luftojnë koronavirusin e ri.
Kjo rënie mujore është vërejtur në të dhënat e publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave.
Rënia në fjalë është tri herë më e madhe sesa rënia e shënuar përgjatë gjithë periudhës nga viti 2008 deri më 2009, kur bota ishte përballur me krizë ekonomike.
Zyra e Statistikave ka publikuar edhe të dhënat për tre muaj, nga shkurti në prill, të cilat kanë treguar rënie ekonomike për 10.4 për qind.
“Rënia e bruto-prodhimit të brendshëm është më e madhja në historinë e Mbretërisë së Bashkuar, më shumë se tri herë më e madhe sesa muajin e kaluar dhe gati 10 herë më e madhe sesa para shpërthimit të Covid-19”, ka thënë Jonathan Athow, zyrtari për statistika ekonomike në Zyrën Kombëtare të Statistikave.
“Në mujin prill, ekonomia ka qenë rreth 25 për qind më e vogël sesa në muajin shkurt. Të gjitha fushat e ekonomisë janë goditur, baret, edukimi, shëndetësia, shitja e makinave, duke kontribuuar në këtë rënie historike”, ka thënë ai.
Pandemia me koronavirusin e ri është thënë të ketë ndikuar keq edhe në tregtinë britanike, pasi edhe aty janë raportuar rënie të mëdha në eksport dhe import të makinave, naftës, dhe punës artistike.