Fondi për rimëkëmbje ekonomike, mbi 380 milionë euro

Qeveria e Kosovës ka votuar Projektligjin për plotësimin e ligjit të buxhetit për vitin 2020. Më këtë vendim, është arritur të krijohet një fond i cili do të shërbejë për rimëkëmbjen ekonomike.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, ka theksuar se do të jenë mbi 600 milionë euro, të cilat do të shërbejnë për rimëkëmbje ekonomike.

Reklama e sponzorizuar

“Me këtë rishikim të buxhetit janë mobilizuar 600 milionë euro për të mbuluar mungesën e të hyrave prej 232 milionë euro si pasojë e pandemisë dhe gjithashtu për të krijuar Fondin për rimëkëmbje ekonomike në shumë prej 385 milionë eurosh. Ky fond e kompenson plotësisht rënien ekonomike që kemi pasur gjatë kësaj kohe për shkak të pandemisë”, tha Hoti.

Projektligjin për plotësimin e ligjit të buxhetit për vitin 2020 do të dërgohet Kuvendit të Kosovës për miratim.

Parashikimet e mekanizmave financiarë ndërkombëtarë për efektet që do t’i ketë pandemia e koronavirusit në ekonomi janë më të zymtat që kanë qenë ndonjëherë.

Kurse Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka thënë se për shkak të pandemisë së koronavirusit, ekonomia e Kosovës do të “goditet rëndë” dhe pritet të tkurret për 5 për qind.