Takimi i 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë mund të prodhojë marrëveshje për krijimin e një zone të lirë ekonomike.
Këtë synim e ka shprehur emisari amerikan për dialogun, Richard Grenell, në një intervistë për televizionin Newsmax.
Grenelli ka thënë se janë duke provuar për krijimin e një zone ekonomike mes dy shteteve, duke e marrë si shembull zonën ekonomike Shenzhen në Kinë, raporton KOHA.
“Çfarë ne provuam është të gjejmë menjëherë formulën se si të rrisim ekonominë. Ne bëmë një marrëveshje për linjën ajrore, të parën pas 21 vjetësh, fluturimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Ende nuk janë zbatuar, por ne kemi marrëveshjen, e cila do të hapë kufijtë e tregtisë dhe një marrëveshje të madhe kufitare për trafikun e automjeteve. Çfarë ne jemi duke provuar të bëjmë është të koncentrohemi në situatën ekonomike, për të krijuar një zonë mini-Shenzhen, zona e parë speciale ekonomike në Kinë”, ka thënë Grenelli.
I dërguari amerikan për dialogun, Grenell, ka thënë se kjo nismë ka ardhur pas diskutimeve me komunitetin e biznesit kur ishte për vizitë në Prishtinë e Beograd.
“Kur fillova t’i diskutoja këto çështje me njerëzit e Kosovës dhe me komunitetin e biznesit në Kosovë, njerëzit në Serbi dhe me komunitetin e biznesit atje, çfarë ishte e qartë është se ata dëshironin zhvillim ekonomik. Ata donin vende pune për të rinjtë, ata donin shpresë”, ka deklaruar ai.
Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane e sheh si mundësi reale krijimin e një zone ekonomike ku do të ofroheshin lehtësira tatimore dhe doganore. Shpjegon edhe se çfarë është zona ekonomike Shenzhen në Kinë.
E për çështjen e dialogut, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti janë takuar gjatë së martës pa praninë e mediave. Presidentit Thaçi thotë se me kryeministrin Avdullah Hoti kanë pajtueshmëri të plotë për përfaqësim të Kosovës në dialog me Serbinë. Në njoftimin e Zyrës së presidentit thuhet se të dy krerët institucionalë kanë harmonizuar qëndrimet për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë.
Para se të shkojë në Uashington, kryeministri Hoti më 25 qershor do të ketë takime me zyrtarë evropianë në Bruksel.