Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të falë të gjithë qytetarët që u dënuan gjatë periudhës pandemike, si pasojë e shkeljes së masave të izolimit. Haxhiu ka thënë se ato masa ishin kundërkushtetuese, prandaj, sipas saj, ato dënime janë të paligjshme.
“Kërkoj që Qeveria legjitime, të marrë vendim që të falen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët me vendimet e Qeverisë Kurti u ndëshkuan duke u dënuar dhe arrestuar, për shkak të vendimeve që ishin anti-ligjore dhe anti-kushtetuese. Gjykata Kushtetuese tregoi që ishin kundërkushtetuese”, tha ajo, raporton ksp.
Haxhiu ka thënë se Avokati i Popullit ka kërkuar edhe dëmshpërblimin e tyre, mirëpo sipas saj, më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve.
“Thjesht, Qeveria Hoti të marrë vendim për t’i falur të gjithë qytetarët që u drejtuan padrejtësisht. Avokati i Popullit ka kërkuar edhe dëmshpërblim, por më e pakta që mund të bëhet është falja e atyre dënimeve”, ka thënë ajo.