Hoti i do në dialog edhe Thaçin, edhe SHBA-në, edhe BE-në

Programi i Qeverisë së kryeministrit Avdullah Hoti, i miratuar të premten, nuk ia njeh Washingtonit rolin udhëheqës të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në Program u përshkruhet rol i barasvlershëm Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Me qëllim që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, Qeveria e vlerëson rolin e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si të pandashëm për suksesin e këtij procesi”, thuhet në Program, një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA. “Përfshirja e plotë në dialog, si e BE-së ashtu edhe e SHBA-së, është kyç, si në arritjen e marrëveshjes, ashtu edhe në garantimin e zbatimit të saj”, shkruan KOHA.

Por, presidenti Thaçi tashmë duket se ia ka kthyer shpinën BE-së dhe kërkon që dialogu të ndërmjetësohet vetëm nga Washingtoni. Së fundi, presidenti Thaçi ka refuzuar edhe të bisedojë me ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak, ndërsa në disa raste ka thënë se BE-ja e ka humbur kredibilitetin, dhe ka kundërshtuar emërimin e Lajçakut, duke thënë se “ai do të dështojë”.

Reklama e sponzorizuar

Partitë që tani janë në koalicionin qeverisës nuk e kanë refuzuar BE-në si ndërmjetëse, por kanë theksuar se pa SHBA-në asnjë proces nuk mund të jetë i suksesshëm. Madje, përplasja që çoi në rrëzimin e Qeverisë së kaluar të Albin Kurtit në masë të madhe u arsyetua si pasojë e mospajtimeve rreth procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga emisari amerikan, Richard Grenell.

Në anën tjetër, njohës vendorë e ndërkombëtarë kanë shprehur drojën se në Washington, Kosovën e pret një zgjidhje e shpejtë shkaku i zgjedhjeve presidenciale që duhet mbajtur në vjeshtë, dhe e cila zgjidhje mund t’i prekë edhe kufijtë.