IKSHPK shpreh shqetësim për rritjen e numrit të rasteve me Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK) e ka konsideruar brengosëse, rritjen e numrit të personave të infektuar me koronavirus në Kosovë.

Të martën, ky institucion ka regjistruar 141 raste të infektimit me këtë virus brenda 24 orëve.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, ky Institut ka bërë thirrje për zbatim të rekomandimeve të tij, duke theksuar nevojën për bartje të maskave dhe mbajtjen e distancës prej 2 metrave.

Reklama e sponzorizuar

“Këta numra të këtyre ditëve flasin shumëçka. Këta numra tregojnë përkeqësim të situatës epidemiologjike me rrezik të shkuarjes drejt humbjes së kontrollit, si dhe drejt mbingarkimit pastaj të institucioneve shëndetësore, gjegjësisht të Klinikës Infektive ku fatkeqësisht personat me sëmundje shoqëruese dhe të moshuarit mund të përfundojnë fatalisht”, është thënë në reagim.

Mes tjerash, ky Institut u ka kërkuar bizneseve dhe sektorit të gastronomisë që të veprojnë në përputhje me rekomandimet e IKSHPK-së, në mënyrë që të pamundësohet përhapja e sëmundjes, Covid-19, që shkakton koronavirusi i ri.

“Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve”, është thënë mes tjerash në reagimin e këtij Instituti.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet në Kosovë kanë regjistruar 1,756 raste të prekura me koronavirus.

Prej tyre, 968 janë shëruar, derisa 34 pacientë tjerë kanë vdekur.