Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, më konkretisht edhe Ministrisë së Shëndetësisë, që në vend të kërcënimit të krijohen mundësi që qytetarët të furnizohen me masa mbrojtëse pa pagesë.
KMDLNJ-ja thotë se në Kosovë nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme prandaj nuk ka mundësi të përdoren mjete të jashtëzakonshme juridike e që nuk janë të rregulluara me ligj.
KMDLNJ-ja ka reaguar pas paralajmërimeve të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për përdorim të forcës së ligjit ndaj atyre që nuk respektojnë masat mbrojtëse antiCOVID-19, duke thënë se kjo nuk iu jep të drejtë drejtuesve më të lartë të vendit të kërcënojnë qytetarët, duke pasur parasysh mungesën e bazës ligjore.
Në një komunikatë për media thuhet se kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri Armend Zemaj kanë detyrim dhe përgjegjësi që qytetarët, sidomos ata që mundësitë materiale i kanë të vogla, të furnizohen me mjete mbrojtëse pa pagesë aq më parë që ka pasur shumë donacione ndërkombëtare për këtë.
“Të rrallë janë ata që kanë mundësi që për një maskë mbrojtëse për një përdorim të paguajnë nga 1 euro për vete dhe nga 1 euro për çdo anëtar të familjes. Në vend të kërcënimit duhet të krijohet një mundësi që qytetarët të furnizohen me masa mbrojtëse pa pagesë. Në Kosovë nuk është shpallur gjendje e jashtëzakonshme prandaj nuk ka mundësi të përdoren mjete të jashtëzakonshme juridike e që nuk janë të rregulluara me ligj”, thuhet në reagim.
KMDLNJ apelon qytetarët t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e situatës dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës të përkrahë më shumë sistemin shëndetësor mbi të cilin po bie barra kryesore në luftimin e pandemisë.