Prishtinës i janë shtuar mbrëmë 14 raste të reja me COVID-19, duke bërë kështu që numri i rasteve aktive në këtë komunë të shkojë në 219. Detaje rreth gjendjes së të infektuarve dhe testimeve që janë kryer sot ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Bujar Gashi.
Gashi i ka thënë Gazetës Express se sot janë testuar 80 persona nga kryeqyteti, të cilët kanë pasur kontakt me të infektuarit.
Sipas tij, gjendja e të infektuarve është stabile, më përjashtim të personave që rezultuan pozitiv mbrëmë.
“Sot janë testuar 80 qytetetarë. Gjendja e të testuarve pozitiv është stabile, me përjashtim të rasteve të fundit që një pjesë e tyre kanë simptoma. Raste aktive në Prishtinë i kemi 219”, ka thënë Gashi për Express.
Ndryshe, dje në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 457 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Nga testimi i këtyre mostrave, me COVID-19 janë konfirmuar 83 raste. Rastet pozitive janë nga Vushtrria, Prishtina, Gjilani, Peja, Mitrovica, Dragashi, Mamusha, Prizreni, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Skenderaj.
Përveç për rastet e reja pozitive, Instituti Kombëtar i Shëndetit Pubklik ka njoftuar edhe për shërimin e pesë pacientëve.
Numri i rasteve të konfirmuara me koronavirusin e ri deri tani ka arritur në 1 mijë e 916 raste. Prej tyre, 973 pacientë janë shëruar, derisa janë regjistruar edhe 34 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.