Qeveria e Kosovës ka vendosur që nga data 28 qershor të rifillojë transportit ajror dhe të hapet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë Hoti, janë shfuqizuar vendimet e mëparshme me të cilat pezulloheshin linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.
Fluturimet për dhe nga Prishtina ishin ndaluar në mes të muajit mars kur kishte shpërthyer koronavirusi.
Të gjithë udhëtarët që hyjnë në Kosovë rekomandohen të kenë testin RT-PCR negativ, jo më të vjetër se katër ditë.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se propozimi është bërë pas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Ai ka shtuar se nëse rastet nuk mund të mbikëqyren gjatë javës në vazhdim dhe ka situatë të re epidemiologjike në Kosovë, rekomandimi është kthimi i masave rigoroze.









