Ministri i AAK-së në qeverinë Hoti: Më mirë me reciprocitet sesa pa të

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, u zotua për sukses të Qeverisë Hoti, sidomos në dikasterin që ai drejton që ka edhe më shumë probleme për shkak të pandemisë.

Megjithë premtimet për sukses të përbashkët, në një ndër mbledhjet e para të Qeverisë, partnerët e koalicionit, AAK dhe LDK, nuk ndanë mendimin e njëjtë për një çështje të madhe – reciprocitetin.
“Taksa edhe reciprociteti janë larg mes vete dhe asaj që ne kemi vepruar. Ndikimi i taksës ka qenë shumë më i madh. Por, për mua më mirë me reciprocitet sesa pa të. Ne kemi votuar kundër dhe kjo është Qeveria Hoti. Po duam t’i ruajmë raportet fillestare edhe me partnerin tonë. Hoti e ka ditur që vota do të jetë jo, s’ka qenë i sigurt sepse ka menduar që të paktën do të abstenojmë”.

“Taksa ka arritur i ka dhënë rëndësi të veçantë edhe Amerikës në procesin e dialogut. Është zhvendos nga tipi i Mogherini në tipin Trump, kjo ka qenë kërkesa e Haradinajt. Këtë efekt diplomatik e ka arritur taksa. Po ashtu, efekti ekonomik ka qenë shumë i madh, rreth 600 milionë euro ka pasë qarkullim më pak Serbia për shkak të taksës”.

Reklama e sponzorizuar

Kuçi në Edicionin Special tha se kanë plane për rimëkëmbjen e ekonomisë e këtë do ta bëjnë edhe me bazë ligjore duke proceduar ligje në Kuvend.

“Kam dëshirë të jem prezent kur ka kriza vendi për t’i ndihmuar. Ne ende jemi duke menaxhuar pandeminë, por kjo e ka pjesën edhe të rimëkëmbjes ekonomike, që ndoshta është shumë më me rëndësi. Në do t’u ofrojmë shërbime dhe mjete financiare për biznesin privat, qytetarët dhe ndërmarrjet publike. Këto tri pjesë janë ndër nëntë pikat që Qeveria Hoti do t’i ndërmerr përmes veprimit të një baze ligjore që po synon ta fusë në veprim”.

“Në këtë drejtim me rëndësi është edhe elementi kohë edhe ai element që përfitimi të shkojë në vendin e duhur, si dhe duhet ta dimë se është vështirë të mbikëqyret sepse mund të keqpërdoret”.