Në Prizren bizneset kërkojnë t’u lejohet organizimi i dasmave

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për lirimin e bizneseve nga taksa komunale, nga pagesa e qirasë për lokalet që janë pronë komunale dhe nga pagesa për shfrytëzimin e hapësirës publike për 6 muaj për shkak të pandemisë COVID-19, është mirëpritur nga bizneset e Prizrenit.

“Duke ditur që pandemia ka goditur ekonominë në Kosovë dhe në gjithë globin, Komuna e Prizrenit ka marrë një vendim që është sadopak lehtësues për bizneset dhe afaristët prizrenas për lirimin e taksave komunale, për lirimin e qirave dhe hapësirës komunale, për gjashtë muaj. Është një vendim i duhur”, ka thënë Varis Xhejlani nga “Esnaf”.

Megjithëkëtë, kjo shoqatë ka pasur edhe një kërkesë për Komunën e Prizrenit, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

“Është edhe koha të hapen sallat e dasmave. Si shoqatë kërkojmë urgjentisht nga ministritë e institucionet përkatëse që të marrin një vendim shumë urgjent për hapjen e tyre, sepse moshapja e tyre është një bllokadë për ata që vijnë nga diaspora”, ka deklaruar tutje Xhejlani.

Në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kryetari Mytaher Haskuka para kuvendarëve ka theksuar se Qeveria ka miratuar Pakon emergjente fiskale, derisa Komuna ka aplikuar edhe disa masa lehtësuese që janë në kompetencë të saj.

Haskuka gjithashtu pati njoftuar kuvendarët se Komuna e Prizrenit është përfshirë në projektin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për analizën e pasojave ekonomike të pandemisë COVID-19, nga e cila priten rekomandime se si të përballohen efektet ekonomike dhe financiare të pandemisë.