Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri dhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, diskutuan sot për procesin e fillimit të hartimit të Strategjisë kundër korrupsionit për periudhën 2021-2025.
Tahiri ka theksuar nevojën që procesi i hartimit të kësaj strategjie të jetë gjithëpërfshirës, duke përfshirë institucionet qendrore dhe lokale, shoqërinë civile, mediat dhe ekspert vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ai ka bërë të ditur se ka diskutuar me krerët politikë dhe institucionalë, duke përfshirë edhe partnerët ndërkombëtarë, për të siguruar mbështetjen, por edhe konsensusin shoqëror dhe politik në luftimin e korrupsionit në nivel të vendit.
Strategjia e re kundër Korrupsionit do të mbështetet në katër shtylla: Sektorin politik publik; Administratën shtetërore (nivelit qendror dhe lokal); Zbatimin e ligjit dhe gjyqësorit; dhe Menaxhimin e financave publike.
Kjo qasje strategjike siguron trajtimin e sfidave në fushën e korrupsionit, të identifikuara përmes vlerësimit të rrezikut ndaj korrupsionit të zhvilluar për sektorë të caktuar, të cilat janë zhvilluar nga projektet mbështetëse në këtë fushë.