Oda e Afarizmit kërkon ulje të kamatave dhe përkrahje për bizneset nga bankat komerciale

Problemet e bizneseve me bankat komerciale, e me theks të veçantë gjatë periudhës së pandemisë ishin tema kryesore e diskutimit në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës me drejtorin e Shoqatës së Bankave, Petrit Balija.

Kryetari i bordit të OAK-ut, Skënder Krasniqi theksoi që gjatë periudhës së pandemisë një ndër sfidat kryesore për bizneset ka qenë pamundësia e marrjes së kredive, pasi që bankat komerciale për shkak të pandemisë kanë ndaluar ofrimin e këtij shërbimi dhe njëkohësisht shtyerja e pagesave të kamatave të kredive nuk ka nënkuptuar edhe shterjen e interesit.

Kjo mos shtyrje e interesit ka bërë që të rëndohet biznesi, prandaj Krasniqi theksoi që është mese e nevojshme që shtyrja e kredive të bëhet edhe për tre muajt në vijim, ndërsa pjesa e interesit të merret përsipër nga shteti duke u subvencionuar.

Reklama e sponzorizuar

Krasniqi shtoi që duhet të bëhet shtyrja e kredit line për një vit, e jo për tre muaj, të ulet norma e interesit në banka komerciale ashtu që të rritet mundësia për marrje të kredive, të rritet koha e grejsperiudhës deri në dy vite, dhe njëkohësisht Kosova nëpërmjet BQK-së të aplikoj për lirim të tarifave për Master dhe Visa Card pasi që të gjitha këto do të lehtësonin funksionimin e bizneseve në vend.

Balija konsideroi se qeveria duhet të ketë prioritet krijimin e Pakos së Rimëkëmbjes dhe për të cilën duhet të diskutohet me të gjitha palët relevante, në mënyrë që të përfshihen interesat e bizneseve.

Sipas Balisë, shtyrja e kredive është bërë bazuar në vullnetin e bankave komerciale dhe se në bashkëpunim me BQK-në kanë pezulluar përkohësisht vendimin përmes së cilit aplikohet kamata ndëshkuese.

Ai shtoi që deri më tani janë bërë mbi 65 mijë aplikime për shtyrje të kredive, e që në bazë të numrit të aplikativëve jemi shteti me përqindjen më të lartë në BE që kanë bërë një kërkesë të tillë, e gjitha kjo vie si rezultat i gjendjes ekonomike që Kosova në tërësi ka.