Paralajmërojnë infektologët, situata me COVID-19 e pamenaxhueshme nëse vazhdon rritja e rasteve

Në kohën kur në Kosovë për një muaj u konfirmuan 423 të prekur me koronavirus, shumica e komunave ishin futur në karantinë, e lëvizja e qytetarëve ishte kufizuar.

Por dy muaj më vonë, numri i të infektuarve për vetëm pesë ditë ka tejkaluar numrin e personave që rezultuan pozitivë me Covid brenda dy muajsh.

Madje, në Kosovë dy ditët e fundit janë regjistruar shifra rekorde. Vetëm të martën janë konfirmuar 141 raste me koronavirus, e që është numri më i madh i të infektuarve që nga paraqitja e rasteve të para në vend. Numër i madh i të infektuarve u konfirmua edhe të hënën, më gjithsej 129 të prekur nga Covid-19.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo, për dallim nga disa muaj më parë tashmë pothuajse asnjë masë kundër koronavirusit nuk është duke u zbatuar. Me gjithë rritjen e numrit të të infektuarve, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, nuk planifikon rikthimin e masave rigoroze, raporton KOHA.

Por ashpërsimin e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit e ka kërkuar zyra e OBSH-së në Kosovë, por që nuk rekomandoi kthimin e izolimit total.

Sipas Humollit, ekziston rreziku i rritjes edhe më të madhe të numrit të të infektuarve, në rast se qytetarët vazhdojnë edhe më tutje të mos përfillin rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

Derisa, infektologët në Klinikën Infektive thonë që nëse vazhdon të rritet numri i personave të prekur nga koronavirusi, Kosova nuk ka kapacitet ta menaxhojë situatën.

Në Klinikën Infektive gjatë së mërkurës kanë marrë trajtim mjekësor 59 persona të infektuar me Covid-19, prej tyre 3 persona janë në gjendje të rëndë shëndetësore.