Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar edhe zyrtarisht kërkesë në Kuvend për themelimin e komisionit hetimor për procesin e privatizimit në vend. Gazeta Express ka siguruar kërkesën që shefi i grupit parlamentar të PDK’së, Bedri Hamza e ka dorëzuar në kryesinë e Kuvendit dhe për kryeparlamentaren, Vjosa Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës sot ka nisur një kërkesë në Kryesinë e Kuvendit për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.
Në arsyetimin e PDK’së, thuhet se ky komision do të hetojë procesin e përgjithshëm të privatizimit në Kosovë, nga fillimi e deri në ditët e sotme.
“Hetimit e të gjithë procesit të privatizimit të menaxhuar dhe administruar fillimisht nga AKM, pastaj AKP, proces i cili ka të bëjë me të gjithë veprimtaritë e këtij institucioni për sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore, ndërmarrjeve publike, duke përfshirë edhe metodat dhe procedurat e realizuara për qëllime të privatizimit”, thuhet në dokument.
Për këto nisma ka folur ditë më parë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.
“PDK-ja do të ndërmarrë veprime konkrete kushtetuese e ligjore brenda Kuvendit të Kosovës për këto tema, të cilat do t’i shërbejnë vetëm interesit publik dhe nxjerrjes së të vërtetës njëherë e përgjithmonë se kush janë abuzuesit e vërtetë me emër e mbiemër të këtij vendi. Këto iniciativa nënkuptojnë themelimin e Komisioneve Hetimore për Çështje më rendësi të veçantë për publikun, si dhe propozime për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve aktuale, duke përfshirë këtu edhe iniciativat e reja legjislative hetimore dhe gjithçka që ju mundësohet hetimeve parlamentare të pavarura e profesionale”, kishte deklaruar Veseli.