Për Kuçin vazhdon të jetë problem shkarkimi dhe emërimi i ri i Bordit të “Trepçës”

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, e ka vlerësuar problematike shkarkimin e Bordit të ndërmarrjes “Trepça” dhe emërimin e Bordit të ri.

“Problemi më i madh është shkarkimi dhe emërimi i bordit të Trepçës. Deri tash nuk kemi arritë me marrë informacione për t’i larguar dilemat që kemi pas për këto emërime. Deri tani kemi vërejtur që emërimet e bordeve të ndërmarrjeve të tjera ka shkuar sipas procedurave ligjore”, tha Kuçi, raporton KOHA.

Kuçi është duke raportuar në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike. Aty po raporton për gjendjen në ndërmarrjen Trepça dhe ndërmarrjet e tjera publike.

Reklama e sponzorizuar

Anëtari i PDK-së, Ferat Shala, i ka vlerësuar të kundërligjshme veprimet e ish-Qeverisë Kurti.

“Ne kemi kërkuar para pak ditësh sqarime për situatën në “Trepçë” lidhur me problematikat dhe sigurinë në këtë ndërmarrje ku kemi pas edhe humbje të jetëve. Duam të dimë për zbatimin e ligjshmërisë në këto ndërmarrje. Është shkelje e ligjit që ministrat të thirren në memorandume ku Trepça e ka ligjin e vet. Nuk e kam pritë që një kabinet i ri të bëjë mbulim të veprimeve antiligjore që Qeveria Kurti ka ndërmarrë”, tha Shala.

Shala shtoi se vendimi për emërimin e anëtarëve të bordit, nga 9 anëtarë që kërkon ligji për Trepçën qeveria ka emëruar vetëm katër.

“Ky bord i përkohshëm, punë të parë e ka pasur shkarkimin e kryeshefit dhe anëtarëve të tjerë, pa asnjë analizë paraprake. Orvatja në letrën e juaj për të arsyetuar se anëtari i pestë është drejtor. Për më keq, kur drejtori menaxhues i bordit shkarkohet, aty kanë marrë pjesë vetëm 4 anëtarë që është në kundërshtim me ligjin pasi që një vendim i tillë nuk mund të merret me 4 anëtarë. Shkelja tjetër është vendimi ku emëron praktikisht një ushtrues detyre nga njësia. Ai shkarkon përfaqësuesin e punëtorëve pa i pyetur ata”, tha Shala.

Ish-ministra e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari, kishte shkarkuar Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës”. Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë” e kishte emëruar Hysen Vrajollin në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje. Kjo është bërë një ditë pas shkarkimit të Basri Ibrahimit nga pozita e kryeshefit.