Faturat e energjisë do të rriten përsëri me 50% vitin e ardhshëm nëse qeveria nuk ndërhyn, ka paralajmëruar industria.
Furnizuesi i energjisë në Mbretërinë e Bashkuar, EDF, tha se situata ishte “kritike” pasi klientët, të cilët duhet të përballojnë faturat shumë të larta të energjisë, janë dëmtuar edhe prej rritjes së çmimeve të gazit me shumicë.
Emma Pinchbeck, kryetarja e organit tregtar Energy UK, tha se tani, rritja e çmimeve po fillonte të dëmtonte ekonominë.
Qeveria deklaroi se kishte në plan masa për të mbrojtur konsumatorët, por ajo tha për BBC se ulja e taksave do të ofronte një ndihmë në këtë situatë.
Qeveritë e tjera europiane, të goditura gjithashtu nga rritja globale e kostove të energjisë, po bënin më shumë se qeveria britanike, tha zonja Pinchbeck.
“Ne kemi pasur çmime rekord të gazit që nga shtatori dhe, gjatë dy javëve të fundit, çmimet janë rritur përsëri,” tha ajo. “Ato kanë arritur në nivele që, sinqerisht, nuk i kemi parë ndonjëherë.”
“Situata duket mjaft serioze për pranverën. Faturat e brendshme të energjisë do të rriten 45-50%.”
Kostot e shitjes me shumicë shënuan një tjetër rekord këtë javë prej 4.50 £ për termo, që ekspertët parashikojnë se mund t’i rrisë faturat mesatare vjetore në rreth 2,000 £ vitin e ardhshëm.
Dëmi ekonomik
Zonja Pinchbeck tha se në të gjithë Europën, qeveritë po u kërkonin bizneseve të cilat përdorin energji në mënyrë intensive, që të kontrollonin kërkesën nga fabrikat në mënyrë që të kursenin dhe të lehtësonin ndikimin negativ të kësaj krize.
“Ne po i kërkojmë Thesarit të ndërhyjë, ashtu siç kanë bërë qeveritë e tjera. Kur bëhet fjalë për faturat, ia vlen të kemi parasysh se më pak se një e pesta është nën kontrollin e furnitorëve,” tha ajo.
Shumë qeveri të tjera në të gjithë Europën kanë ulur taksat dhe detyrimet e tjera. Masa të tilla mund të kursejnë afërsisht 200 £ në vit për një faturë mesatare, tha ajo.
Këto vende përfshijnë Spanjën, e cila ka zgjatur periudhën e uljes së shumë taksave, që nga qershori i kaluar deri në maj 2022.
“Çmimi tani është kaq i lartë sa kjo ndikon në të gjithë ekonominë. Pra, a duhet të bëjë më shumë Thesari? Deri tani, ata kanë hezituar të ndërhyjnë në pjesët që janë nën kontrollin e tyre,” tha ajo.
Philippe Commaret, një drejtor menaxhues tek EDF, furnizuesi i katërt më i madh në Mbretërinë e Bashkuar, tha: “Ne i bëjmë thirrje qeverisë të veprojë tani për të mbështetur klientët e energjisë. Situata është kritike këtë dimër dhe për fat të keq, ky është vetëm fillimi.”
“Rritja e kufirit të çmimit në prill mund të jetë deri në 700 £ dhe, deri në tetorin e ardhshëm, kufiri mund të kalojë lehtësisht 2,000 £ – domethënë, dy herë më shumë se nivelet e dimrit të kaluar.”/ BBC









