Telekomi i Kosovës e ka nënshkruar një kontratë të ngjashme me atë të “Z-Mobile” duke ia dhënë 60% të të hyrave nga shërbimet e Internetit, IPTV dhe IPTV-OTT, një kompanie private.
Shkruan: Agon Sinanaj
Telekomi i Kosovës e ka nënshkruar një kontratë të ngjashme me atë të “Z-Mobile” duke ia dhënë 60% të të hyrave nga shërbimet e Internetit, IPTV dhe IPTV-OTT, një kompanie private.
Kontrata me kompaninë nga Shqipëria “AdvanTech” për shërbimet e Internetit, IPTV dhe IPTV-OTT, është nënshkruar në fund të vitit 2019, nga kryeshefi i atëhershëm Bedri Istrefi. E njëjta është konsideruar ‘sekrete’ dhe do të mund t’i ndahet vetëm organeve të zbatimit të ligjit dhe aksionarit.
Pas shkarkimit të Bordit të Telekomit të Kosovës, Bordi i Përkohshëm i emëruar nga qeveria Kurti e ka bërë auditimin e kësaj marrëveshjeje duke e angazhuar një ekspert për një gjë të tillë.
Pas pranimit të rezultateve të Auditimit, Bordi i Përkohshëm i Telekomit ka kërkuar nga menaxhmenti që këtë marrëveshje ta dërgojë për hetim të mëtutjeshëm në Prokurori.
E në dokumentin e brendshëm që i është prezantuar Bordit të Telekomit të Kosovës, kontrata me AdvanTech është krahasuar me atë të “Z-Mobile”, kryesisht për shkak të mënyrës së kompensimit të kompanisë, përkatësisht përmes formës së “ndarjes së të hyrave”.
Telekomi i Kosovës do të marrë vetëm 40% të të hyrave nga klientët për shërbimet e internetit, IPTV dhe IPTV-OTT. Kurse, partneri “AdvanTech” është paraparë të marrë 60% të të hyrave.
Telekomi i ka ofruar kompanisë private qasje në gjithë teknologjinë e saj, ka marrë obligime për të investuar në rrjetin primar dhe koston e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun.
Nëse zbërthehet në shifra ndarja e të hyrave, atëherë i bie që nëse një pako internet plus IPTV do të kushtojë 20 euro, kompania AdvanTech do të marrë 12 euro, kurse Telekomi – 8 euro.
Kontrata bazë është nënshkruar së bashku me 5 anekse të cilat kanë trajtuar çështje specifike siç janë ato teknologjike por edhe financiare. Vetëm aneksi 6 është paraparë të nënshkruhet më vonë, në të cilin janë paraparë të dakordohen për (SLS) nivelin e shërbimeve teknike të pritshme për t’u ofruar nga palët për njëra tjetrën.
KALLXO.com e ka siguruar edhe ankesin 6 të kësaj marrëveshje, i cili është nënshkruar më 27 shkurt 2020, vetëm pak ditë pas shkarkimit të Bordit të Telekomit nga Qeveria Kurti.
Në këtë aneks janë paraparë edhe çështjet financiare edhe pse në kontratën bazë, në aneksin 4 ishte dakorduar për ndarjen e të hyrave.
Aneksi 6 e shfuqizon në tërësi aneksin 4, ku ndarja e të hyrave ishte 55% për Telekomin dhe 45% për AdvanTech, dhe atë vetëm për faturat që arrijnë të arkëtohen.
Me ndryshimet e reja në aneksin 6, ndryshon edhe ky raport, sepse tash kompania “AdvanTech” do të ketë 60 për qind të të hyrave, kurse Telekomi 40 për qind nga shërbimet e internetit, IPTV dhe IPTV-OTT. Në këtë aneks nuk është qartësuar çështja e borxheve, përkatësisht mos-pagesa e shërbimeve nga klientët.
Ndërsa, në këtë aneks është paraparë tjetër marrëveshje për klientët aktualë të Telekomit, mirëpo aty thuhet se një klient aktual nëse e ndryshon pakon e tij do të konsiderohet si klient i ri dhe rrjedhimisht vlen ndarja e të hyrat 60% për AdvanTech me 40% për Telekomin.
Derisa në marrëveshjen bazë nuk përmendet që AdvanTech do të ofrojë edhe shërbime të internetit, kjo gjë është paraparë në ankesin 6.
“Partneri (AdvanTech) ka të drejtë që përveç shërbimeve IPTV/OTT të ofrojë edhe shërbime të IP, sipas marrëveshjes së specifikuar në Aneks 3 në të gjithë rrjetin e Telekomit të Kosovës”, thuhet në pikën 8 të aneksit 6.
Në të njëjtin aneks thuhet se AdvanTech do të ofrojë garanci 1 vjeçare për pajisjet, ndërsa Telekomi i Kosovës “ka për obligim që pas instalimit të mirëmbajë të gjitha centralet, nyjet qasëse, rrjetet primare, rrjetet sekondare dhe pajisjet fundore të klientit”.
Përmes aneksit 6 të marrëveshjes, AdvanTech fiton të drejtën e qasjes në të gjitha nyjet telekomunikuese të Telekomit, si dhe ndërmarrja obligohet që të blejë kapacitete komunikuese ndërkombëtare për t’i siguruar punën partnerit.
Krahas kësaj, kompania sipas marrëveshjes merr përsipër ta krijojë një aplikacion për telefona smart që do të quhet ValaTv. Përveç transmetimit të programacionit televiziv, me këtë aplikacion, partnerit i lejohen edhe shërbime tjera.
Gjetjet nga Auditimi i Kontratës
Bordi i përkohshëm i Telekomit, me ta marrë detyrën në mars të këtij viti, kishte kërkuar auditim të kontratës si dhe kishte angazhuar një ekspert për ta analizuar atë. Gjetjet nga të dyja palët bënë që Bordi të kërkojë me urgjencë nga menaxhmenti që këtë dosje ta dorëzojë në Prokurorinë e Shtetit.
“Komisioni i Auditimit e ka pranuar Raportin e Auditimit të Brendshëm për rastin “Partneriteti me Advantech”, dhe në bazë të këtij raporti, Komisioni i Auditimit i propozon Menaxhmentit Ekzekutiv që në harmonizim me Departamentin Ligjor dhe në bazë të gjetjeve të auditorit të brendshëm, të iniciohet urgjent përmes organeve kompetente një procedurë legale ndaj personave të përfshirë në lidhje me këtë kontratë”, thuhet në analizën e Komisionit të Auditimit të emëruar nga Bordi.
Ndërkaq, sipas gjetjeve të ekspertit, thuhet se kontrata ishte lidhur me kushte jashtëzakonisht të pafavorshme për ndërmarrjen.
“Ndarja e të hyrave që tejkalon 15% për kompaninë dhe nuk sjell 85% për Telekomin nuk është një marrëveshje e mirë”, thotë eksperti në analizën e tij.
Ai thotë se kompania AdvanTech do të ketë pronësi në softuerë.
“Në rast të një kalkulimi të tillë nuk e di sa është e kuptueshme që të angazhohet një partner që të ofron OTT/IPTV në bazë të parimit ‘share revenue’ dhe me atë rast: 1) Ka ekskluzivitet; 2) Ka të drejta pronësore në SW (softuer); 3) Merr përqindje nga shërbimet bazë që i ofron Telekomi, pra nga Bundle (tufa) e shërbimeve – internet voice etj”, thuhet në analizën e ekspertit.
Në kontratën e nënshkruar në fund të vitit 2019 thuhet se e njëjta fillon zbatimin në momentin kur Telekomi i Kosovës bënë kërkesë për fillim të shërbimeve, e cila merret si datë efektive e kontratës. Kurse, në pikën 9.3 të marrëveshjes thuhet se kërkesa për fillim të ofrimit të shërbimit do të lëshohet nga Telekomi i Kosovës, pas pranimit, integrimit, testimit dhe funksionalizimit të platformës së Partnerit.
KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Telekomi nëse ka filluar zbatimi i kësaj kontrate, përkatësisht nëse është caktuar tashmë data efektive e zbatimit të saj, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka pranuar përgjigje.
Marrëveshja është nënshkruar për një periudhë 7 vjeçare, me mundësi vazhdimi. Ndërsa, ndërprerja e saj mund të bëhet vetëm me pajtim të palëve. Ndërsa, në raste të shkëputjes së një anshme, pala që e ka shkëputur marrëveshjen është e “obliguar që të paguaj të gjitha dëmet që i janë shkaktuar palës tjetër- fitimin e pritur, dëmin material dhe jo-material (imazhin, brendin etj) në pajtim me dispozitën 9.6”.
Në pikën 9.11 të kësaj marrëveshje, Telekomit i është lënë mundësia e shkëputjes së kontratës edhe para datës efektive, por sërish ka penalizime.
Arsyetimi i kontratës nga zyrtarët e Telekomit
Vetëm disa ditë pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Telekomi i Kosovës shpalli kërkesë për partneritet, në të cilën do të merrnin pjesë vetëm katër kompani. Fituese u shpall një firmë nga Tirana, por me degë edhe në Kosovë, e quajtur AdvanTech.
BIRN ka siguruar edhe analizën e zyrtarëve të Telekomit me rastin e vlerësimit të aplikacioneve.
“AdvanTech është operatori i cili ka përmbushur kushtet e shprehjes se interesit publik dhe i njëjti gjatë prezantimit ka ofruar një zgjidhje START to END teknike-operative, e që për momentin TK e ka të vështirë ose edhe të pamundshme me mjetet vetanake ta realizojë një shërbim të kompletuar”, thuhet në analizën me titullin “Raport-Analiza Biznesore” e hartuar më 31 mars 2020.
Në këtë raport, kontrata me AdvanTech arsyetohet me atë se shërbimet IPTV të Telekomit nuk marrin pjesë as me 10 për qind në tregun e telekomunikimeve.
Ndërkaq, në kontratë thuhet se Telekomi i Kosovës ofron në shërbim të partnerit komplet infrastrukturën e vet duke filluar nga backbone (lidhjet kryesore nëpër qytetet e Kosovës), rrjetin e qasjes dhe pajisjet aktive nëpër dhomat e serverëve kudo në Kosovë si dhe në qendër.
“Partneri ka të drejtë që të lidhë klientët të cilët janë objekt i kontratës mes TK dhe Partnerit, në rrjetin e qasjes se Telekomit të Kosovës, duke përdorur asetet e TK në terren, si kabllot, kutiat shpërndarëse etj.”
Për më tepër, Telekomi ofron në dispozicion te partneri të gjitha resurset teknike të Dhomave të Serverave: furnizim me energji pa ndërprerje, klimatizim, hapësirë, qasje në server, router, switch etj”
“Ideja e gjithëmbarshme është të ofrohet shërbim kualitativ televiziv përmes teknologjisë më të re dhe më atraktive në treg përmes rrjetit të TK”, thuhet në kontratë.
Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e kishte shkarkuar Bordin e Telekomit të Kosovës, duke emëruar bordin e përkohshëm të kësaj ndërmarrje. Bordi i përkohshëm më pas e ka shkarkuar nga detyra kryeshefin, Bedri Istrefi duke e zëvendësuar me Burbuqe Hanën si ushtruese e detyrës. Hana nuk ka dashur të japë detaje rreth kësaj marrëveshjeje.
“Kjo punë është e bordit mbikëqyrës. Ndërmarrja do të jetë krejtësisht transparente. Jemi në fillim të punëve si menaxhment i ri, do të shikohen të gjitha gjetjet dhe do t’i publikojmë për publikun”, ka thënë Fadil Lepaja nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Telekom.
I kontaktuar nga BIRN, ish-kryeshefi Bedri Istrefi, nënshkrimi i të cilit figuron në kontratë, nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me pyetjet rreth arsyeshmërisë së kësaj kontrate.
Ndërrimi i dyshimtë i pronësisë në AdvanTech
Në kontratë përveç Bedri Istrefit si Kryeshef i Telekomit, figuron edhe firma e Oltjon Bushit, i cili është pronar i AdvanTech.
Kjo kompani është regjistruar si biznes në Shqipëri, në vitin 2017. Një kompani me emër të njëjtë në nëntor të vitit 2018 është regjistruar si biznes edhe në Kosovë. Për degën në Kosovë si aksionar, krahas Oltjon Bushit ishte edhe Bashkim Hajra.
Por, në muajin maj të vitit 2020, Oltjon Bushi është hequr nga lista e aksionarëve të biznesit të regjistruar në Kosovë.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, me dhjetë janar të vitit 2020, sipas kontratës të arritur te noteri, Oltjon Bushi i kishte shitur aksionet tek Afrim Hajra, i cili është familjar me Bashkim Hajren.
Në vend të Oltjon Bushit, me vendim të kompanisë, Drejtor i Përgjithshëm tash ishte emëruar Afrim Hajra. Kërkesa për ndërrimin e aksionarëve është aprovuar në ARBK gjatë muajit maj 2020.
I kontaktuar përmes telefonit, Afrim Hajra e ka konfirmuar se është bërë aksionari kryesor i kompanisë së regjistruar në Kosovë me emrin AdvanTech, por nuk ka dashur të lëshohet në detaje. Ai nuk është përgjigjur në pyetjen se kush do ta zbatojë kontratën, kompania amë në Shqipëri, apo dega në Kosovë.
Nuk jam në dijeni për detajet”, ka thënë ai shkurt anipse ka në pronësi 80% të aksioneve në biznesin e regjistruar në Kosovë.
Oltjon Bushi deri në maj të vitit 2020 ka qenë njëri nga aksionerët e “AdvanTech”, dega në Kosovë. Ndërkaq, në kontratën e nënshkruar më 6 dhjetor 2019 me Telekomin e Kosovës figuron nënshkrimi i Oltjon Bushit dhe vula e AdvanTech që është e regjistruar në Shqipëri.
Por, në pikën 5.16 të kësaj marrëveshje thuhet se “në rast të shitjes, tjetërsimit apo privatizimit të aseteve të partnerit (AdvanTech), të drejtat dhe obligimet nga kjo marrëveshje barten me automatizëm te trashëgimtari. Kurse, kushdo që e privatizon Telekomin, nëse një gjë e tillë ndodh, obligohet të zbatojë ketë marrëveshje.
BIRN ka hulumtuar profilin e kompanisë, degën e saj në Kosovë, por nuk ka gjetur të dhëna për punët e kryera si dhe përvojën e saj. Kur ishte regjistruar në Kosovë, kompania në përshkrimin e veprimtarisë së saj si aktivitet primar kishte potencuar “transportin rrugor të mallrave”, kurse si aktivitet sekondar “tregtinë me shumicë të kompjuterëve, të pajisjeve periferike të kompjuterëve dhe softuerëve”.
Pronari Oltjon Bushi ka thënë se AdvanTech është një “kompani me përvojë të madhe”, mirëpo kur është pyetur se si është e mundur kjo meqë kompania në Shqipëri është regjistruar si biznes vetëm në vitin 2017, ai ka thënë se përvojën e kanë trashëguar nga një kompani tjetër, por pa ia përmendur emrin.
E në Kosovë ka thënë se kanë kryer punë për një televizion. Për konstatimet e bëra nga eksperti i angazhuar nga Telekomi se kontrata në fjalë ka ngjashmëri me kontratën e nënshkruar me ‘Z Mobile’-in, Bushi thotë se është krejtësisht e kundërta.
“Sipas kontratës, kompania do të investonte në teknologji dhe e tëra do t’i mbetej ndërmarrjes”, ka thënë ai.
Paqartësia rreth asetit kryesor – klientët
Sa i përket ndarjes së të hyrave, Bushi ka thënë se është normale që kompania t’i ketë 60 për qind të të hyrave, për shkak të kostos së investimeve.
Bushi nuk ka pranuar të komentojë arsyet e tërheqjes së tij si aksionar i AdvanTech për degën në Kosovë. Njëjtë ka vepruar edhe Bashkim Hajra, i kontaktuar nga BIRN. Me të dëgjuar pyetjen për ndërrimin e aksionarëve ai e ka ndalur telefonin për të mos e hapur më.
Por, kontrata të cilën e ka analizuar BIRN, nuk është e qartë sa i përket bartësit të investimeve dhe pronësisë.
Nenin 3 i kontratës thotë se investimi do të kryhet nga kompania private në bashkëpunim me Telekomin.
“Partneri me shpenzime të veta dhe në bashkëpunim me Telekomin e Kosovës, dizajnon, zhvillon, ofron dhe mbështet Platformën IPTV dhe IPTV-OTT”, thuhet në ketë nen, ndërkohë që thuhet se Telekomit do të bëjë investimet në rrjetin primar, kurse AdvanTech në rrjetin sekondar.
Kurse, në nenin 8 të kontratës flitet për pronësinë që do ta ketë kompania AdvanTech.
“Teknologjia dhe i tërë zhvillimi i Softuare-it në të, mbesin në kompetencë dhe pronësi te PARTNERI, ku i njëjti mbanë edhe përgjegjësinë e plotë për të drejtat e pronës intelektuale për teknologjinë e ofruar në këtë kontratë”.
Ndërsa, një prej ‘aseteve’ kryesore, klientët, është çështje e pazgjidhur në kontratë.
Derisa në kontratë thuhet se cilido klient aktual i Telekomit që e ndërron pakon konsiderohet klient i ri, në pikën 6.11 thuhet se “Telekomi i Kosovës dhe Partneri 6 (gjatë) muaj para skadimit të kësaj Marrëveshje, do të bisedojnë se bashku që të qartësojnë dhe dakordohen, negociojnë se kujt t’i mbesin klientët fundorë, të cilët janë krijuar përmes Partneritet (gjatë kësaj kohe). Objekt i diskutimeve dhe negociatave, nuk janë klientët ekzistues të tanishëm të Telekomit të Kosovës.”`