Qeveria parasheh mbi 435 milionë euro për investime kapitale, pandeminë e menaxhon me kredi

Qeveria Hoti nuk heq dorë nga investimet kapitale edhe gjatë pandemisë.

Në projektligjin që e ka siguruar KOHA, vetëm për autostrada, më 2020 janë ndarë mbi 26 milionë euro, shumë kjo e njëjtë si në buxhetin e kaluar, kur koronavirusi ende nuk ishte prezent në Kosovë.

Më shumë se 12 milionë euro do të ndahen nga grantet qeveritare, e 14 milionë të tjera nga procedurat e privatizimit.

Reklama e sponzorizuar

Kjo ishte arsyetuar edhe nga ana e ministres së Financave, Hykmete Bajrami, e cila kishte thënë se nuk do të rrezikohen projektet kapitale, raporton KOHA.

Ndërkaq, Qeveria po planifikon të menaxhojë me pandeminë duke marrë hua.

Siç kishte raportuar KOHA, janë rreth 40 milionë euro që janë siguruar nga marrëveshjet ndërkombëtare, e mbi 100 milionë të tjera nga huazimet e kreditë.

Vlera e investimeve kapitale gjatë vitit 2020, sipas projektligjit të ri, arrin në mbi 435 milionë euro, ndërkohë që për shpenzime e rimëkëmbje ekonomike nga pandemia rreth 400 milionë euro, shumë kjo e përafërt me atë të projekteve kapitale.