Reuters: Kosova zgjedh qeverinë e re që premton marrëveshje me Serbinë

Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur një qeveri të re të mërkurën me një kryeministër që ka premtuar të arrijë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e cila do t’ia mundësonte vendit marrjen e një ulëseje në Kombet e Bashkuara, shkruan “Reuters”.

Qeveria e re e kryeministrit Avdullah Hoti, i cili vjen nga partia e qendrës së djathtë, Lidhja Demokratike e Kosovës, u votua nga 61 deputetë në kuvendin me 120 ulëse pas disa javëve të mosmarrëveshjes ligjore.

“Marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë e bazuar në njohjen reciproke mes dy shteteve. Ne nuk do të lejojmë ndonjë ndryshim të kufijve apo shkëmbim të territoreve”, tha Hoti para deputetëve.

Reklama e sponzorizuar

Hoti ka premtuar se do t’i largojë të gjitha barrierat tregtare për mallrat që vijnë nga Serbia, ashtu siç kanë kërkuar Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për ta vazhduar dialogun e përkrahur nga Brukseli, që u ndërpre në vitin 2018.

Serbia, së bashku me aleaten e saj tradicionale, Rusinë, e ka bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, një marrëveshje për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht për Beogradin që të anëtarësohet në BE, shkruan “Reuters”.