Rezerva për ardhjen e ndërmjetësuesit Lajçak në Prishtinë

Emisari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në mes të muajit qershor pritet të vijë në Kosovë.

Vizita e tij, e cila do të jetë e para pas emërimit të tij si përfaqësues, vlerësohet se do të jetë përcaktuese për rifillimin e dialogut mes dy vendeve.

“Z. Miroslav Lajçak planifikon të udhëtojë në rajon në ditët në vijim për t’u takuar me partnerët dhe për të përgatitur bazat për rifillimin e Dialogut në Prishtinë e Beograd dhe të diskutojë mbi modalitetet me palët”, ka thënë Peter Stano, zëdhënës për Punë të Jashtme në Komisionin Evropian, raporton KOHA.

Reklama e sponzorizuar

Visar Xhambazi nga “Demokraci për Zhvillim” thotë se vizita e Lajçakut konfirmon krijimin e hapësirës për vazhdimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, rreth dy vjet pas pezullimit të tyre.

Ndërsa, sipas Arbër Fetahut nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, vizita e Lajçakut e rikthen në procesin e dialogut Bashkimin Evropian.

Lidhur me atë se a janë të njoftuar për vizitën e emisarit sllovak, televizioni ka pyetur edhe institucionet në vend, qeverinë e presidencën, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Njoftim lidhur me këtë vizitë, siç ka mësuar KOHA, deri më tani nuk kanë marrë asnjë prej subjekteve politike në vend.

Por, përfaqësuesi i BE-së nuk është i mirëpritur në vend nga kreu i shtetit, Hashim Thaçi.

Ai të hënën ka thënë se dialogu duhet të udhëhiqet nga ShBA-ja.

Dallimi i bërë për një çështje të tillë, sipas njohësve të procesit të dialogut, nuk është në të mirë të vendit.

Për dallim nga Lajçak, me marrjen e detyrës, për vizitë në Kosovë në janar të këtij viti ishte emisari amerikan, Richard Grenell.